Nëse dikush do t’i besojë tabloideve famëkeqe të Serbisë të sponsorizuara nga qeveria, vendi është nën rrethim të përhershëm nga një bollëk armiqsh të jashtëm dhe të brendshëm. Titujt denoncojnë vazhdimisht komplote nga fqinjët dhe nga vendet perëndimore, të cilat shpesh pretendohet se po bashkëpunojnë me “opozitën jopatriotike” për të minuar Serbinë.
Vetëm pak përtej kufirit, në Kosovë, narrativa e partisë në pushtet ka qenë ajo e një lufte të pashmangshme me Serbinë, veçanërisht pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe një tentative për kryengritje të armatosur në veriun me shumicë serbe në vitin 2023.
Zyrtarët e qeverisë dhe satelitet e tyre në media vazhdimisht i kanë portretizuar kritikët e qeverisë – gazetarët, aktivistët dhe prokurorët – si pjesë e një e luftës hibride të Serbisë kundër vendit.
Udhëheqja përmes frikës nuk është as e re dhe as unike për Ballkanin Perëndimor. Për një kohë, ajo ka qenë zeitgeist* politik i rajonit për një kohë, pjesërisht sepse ka pasë prej kohësh arsye të mirëfillta për t’u frikësuar.
Rajoni vazhdon të ketë një arkitekturë sigurie të pazgjidhur, me shumicën e vendeve që ende çalojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE) dhe NATO, të cilat supozohej t’i bënin të parëndësishme kufijtë e tij të kontestuar. Pasiguria për të ardhmen ka hapur rrugën për rishfaqjen e ideve secesioniste. Në vitin 2022, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës e solli këtë ankth në tepricë, pasi Moska u përpoq në mënyrë aktive – pa rezultate – të zgjeronte frontin dhe të nxiste telashe në Ballkan, kryesisht nëpërmjet aleatëve të saj në Serbi.
Megjithatë, kjo frikë u dha liderëve rajonalë një mjet të dobishëm për të larguar vëmendjen nga qeverisja e dobët dhe për të shtypur mospajtimin. Për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka ndjekur një politikë balancuese midis Moskës dhe Perëndimit, kërcënimi i destabilizimit rajonal shërben gjithashtu si mjet pazaresh me këtë të fundit.
Megjithatë, ka shenja shpresëdhënëse se njerëzit në Ballkanin Perëndimor, si dhe vendimmarrësit perëndimorë që merren me rajonin, nuk po e blejnë më këtë shantazh. Në të gjithë rajonin, liderët duken më pak të aftë të shpërqendrojnë qytetarët e tyre nga shqetësimet socio-ekonomike. Në të njëjtën kohë, BE-ja duket se po mëson të mos angazhohet me ngatërrestarët rajonalë nga një pozicion frike. Në të vërtetë, Brukseli ka treguar se ka një levë të bollshme gjeopolitike dhe ekonomike për të shtyrë shqetësimet e tij mbi reformat e brendshme, politikën e Rusisë dhe stabilitetin rajonal tek vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa punon për t’i integruar ato në bllok.
Vala aktuale e protestave të studentëve në Serbi kundër korrupsionit qeveritar ka qenë lëvizja më e suksesshme dhe e qëndrueshme e opozitës kundër Vuçiqit deri më tani. Kjo ndodh përkundër përpjekjeve për të diskredituar protestat se u ndezën ose mbështetën nga qeveritë e huaja.
Demonstratat e kanë shqetësuar qartë qeverinë, siç tregohet nga dorëheqja e kryeministrit të emëruar nga Vuçiq. Një sondazh i fundit nga CRTA – një organizatë joqeveritare pro-demokratike në vend – tregon se 61 përqind e qytetarëve mbështesin protestat dhe dy të tretat besojnë se korrupsioni është problemi kryesor i vendit.
Në Kosovë, e cila mban zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, vendimi i partisë qeverisëse të kryeministrit popullor Albin Kurti për të garuar me tërësisht me një agjendë ‘sovraniste” me sloganin nacionalist “cep më cep” – duke e vënë në pah goditjet ndaj strukturave të Serbisë në veri të Kosovës – dhe duke sulmuar kritikët e tij si jopatriotikë, mund të rezultojë si kundërefektive. Dy partitë kryesore opozitare, të cilat po konkurrojnë në platforma që vënë në pah çështjet ekonomike, duket se po përjetojnë mjaft ringjallje për të komplikuar aftësinë e Kurtit për të formuar një qeveri.
Pa dyshim, ka ende rreziqe reale të përshkallëzimit të dhunshëm për shkak të llogaritjeve të gabuara dhe një farë shkalle zemërimi publik për potencialin për luftë mbetet i përhapur në rajon. Një sondazh rajonal i Securimeter i nëntorit 2024 nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council), një organ ndërqeveritar, tregon se ndërsa shqetësimi për luftën mund të jetë i ulët në Kosovë (vetëm 21 përqind e qytetarëve), ai mbetet i lartë në Serbi si dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku më shumë se gjysma e të anketuarve thonë se janë të shqetësuar për shpërthimin e një lufte.
Megjithatë, në mbarë rajonin, shqetësimet për sigurinë mbeten më të zbehta nga ato socio-ekonomike: i njëjti sondazh tregon [shqetësimet për] varfërinë (49 përqind), korrupsionin (48 përqind) dhe shpopullimin (36 përqind) si tre shqetësimet kryesore prioritare në rajon. Për më tepër, 77 përqind e të anketuarve në rajon identifikuan koston e lartë të jetesës dhe inflacionin si shqetësimin kryesor ekonomik, të ndjekur nga pagat e ulëta (55 përqind).
Një pjesë e arsyes pse nxitja e frikës mund të mos jetë më duke paguar dividentë politikë duke u shmangur nga shqetësimet ekonomike të qytetarëve është se, me kalimin e kohës, kërcënimet e sigurisë kanë mbetur pa besueshmëri. Rusia nuk ka arritur të projektojë fuqi domethënëse përtej përpjekjeve të saj në Ukrainë. Perëndimi, me të gjitha gabimet e tij në keqpërdorimin e pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE, dëshmoi se ka fuqinë dhe instrumentet për parandalim në rajon. Në të vërtetë, NATO është e pranishme si brenda rajonit ashtu edhe rreth tij, BE-ja është deri tani partneri më i madh tregtar dhe investues i rajonit dhe sanksionet e SHBA-së dhe BE-së kundër vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të ndihen fort.
Një përpjekje e serbëve në veri të Kosovës për të nisur një kryengritje të armatosur në shtator të 2023-ës u shua brenda një dite nga Policia Speciale e Kosovës, e cila u ndihmua nga paqeruajtësit e NATO-s. Milorad Dodik, president i entitetit Republika Srpska me shumicë serbe në Bosnje, ka hequr dorë nga kërcënimet e tij të rregullta për t’u shkëputur nga vendi sa herë që kërcënohej. Gjatë vitit të kaluar, Vuçiq u detyrua të pranojë se hapësira e tij manovruese është zvogëluar: Serbia bleu avionë luftarakë francezë, i dha BE-së qasje në burimet e saj të litiumit dhe tani po detyrohet të shtetëzojë industrinë e saj të naftës dhe gazit nga Gazprom i sanksionuar nga SHBA.
Perëndimi duket se nuk ka më nevojë të negociojë me Vuçiqin nga një pozicion frike – domethënë, duke ecur me kujdes për shkak të shqetësimit se presidenti serb do të kthehet më tej drejt Rusisë ose do të shkaktojë destabilitet rajonal. Pavarësisht lëvizjeve të fundit pro-perëndimore të Vuçiqit, Këshilli Europian kohët e fundit vendosi t’i mbajë të ngrira negociatat e pranimit të Serbisë për shkak të shqetësimeve për demokracinë, marrëdhëniet me Kosovën dhe mospërshtatjen me politikën e BE-së për Rusinë.
Ky qëndrim më i ashpër ndaj Serbisë është një largim i mirëpritur nga politika tepër e kujdesshme e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor për dhjetë vitet e fundit. Ndërsa BE-ja kishte të drejtë të frikësohej se dështimi për të integruar Ballkanin Perëndimor do ta linte bllokun më pak të sigurt, ishte e gabuar të kishe frikë të diktoje kushtet e pranimit për vendet e Ballkanit duke pasur parasysh ndikimin e BE-së mbi rajonin.
Frika kishte nxitur mendimin e BE-së për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për pjesën më të madhe të dekadës së kaluar. Disa anëtarë ishin të shqetësuar për aftësinë e BE-së për të absorbuar më shumë vende lindore me standarde të dyshimta qeverisjeje dhe qëndrime sigurie. E djathta ekstreme e BE-së gjithashtu nxiti ksenofobinë për vendet me shumicë myslimane të rajonit. Si rezultat, Ballkani Perëndimor u parkua në një politikë efektive kontrolli, e cila fuqizoi autoritarët që treguan se të paktën mund të ruanin paqen.
Megjithatë, pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, frika e futjes së rajonit në BE u zbeh nga frika për ta mbajtur atë jashtë. Zonat gri si Ballkani Perëndimor doli të ishin një cenueshmëri sigurie. Ekziston një vetëdije në rritje brenda BE-së se ajo duhet të sjellë Ballkanin Perëndimor në bllok. Megjithatë, kjo shoqërohet me një ndërgjegjësim se Brukseli mund të përballojë të bëjë kërkesa për anëtarët aspirantë nëse perspektivat e tyre të pranimit duan të përparojnë. Duke reflektuar këtë ekuilibër, momenti i ri për zgjerimin e BE-së ka hapur tashmë një dritare që të paktën Mali i Zi dhe Shqipëria – vendet me më pak pengesa për anëtarësim dhe që po ndërmarrin disa reforma – të jenë pjesë e valës së ardhshme të anëtarësimit.
Megjithatë, paqja dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor do të mbeten të brishtë për sa kohë që vendet e tij mbeten të mbërthyera në mosmarrëveshje dypalëshe ose identitare. Por gjatë viteve të fundit, BE-ja ka treguar se ka fuqinë për të zgjidhur mosmarrëveshjet që qëndrojnë në rrugën e rajonit. Ballkani Perëndimor paraqet testin përfundimtar të lakmusit të peshës gjeopolitike të bllokut. Në vijim, BE-ja duhet të përdorë levën që ka në dispozicion pa lejuar nxitjen e frikës nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor për ta penguar atë nga përpjekjet e saj për të sjellë rajonin në gjirin e tij.
*Fryma ose disponimi përcaktues i një periudhe të caktuar të historisë siç tregohet nga idetë dhe besimet e kohës.
Ky shkrim u publikua fillimisht nga Atlantic Council në anglisht.