×
Opinione

Për ty që “zgërdhihesh”: Në Speciale po gjykohemi të gjithë

Reporteri
05 Nëntor 2020 | 21:02

Autor: Armend Bekaj


Sot duhet treguar qetësi, respekt, ose të paktën heshtje. Euforia, entuziazmi nuk të kanë hije, më së shumti ty, sepse:


1. Këta ishin dhe janë bartësit e UÇK-së e të luftës kundër armikut. Kjo është e vërteta, i pëlqeu dikujt apo jo. Këta do të gjykohen për luftën dhe periudhën e menjëhershme të pasluftës. Dhe, me ta, të pëlqeu ty apo jo, do të gjykohesh edhe ti, unë, fëmijët tanë e të gjithë ne. Kështu që të zgërdhihesh nga marazi është, si të them, si t’i zgërdhihesh vetvetes. Po me vjen keq. Ta urosh tjetrin që “shyqyr që këta shkuan” është si ta pështysh vetveten. T’i thuash se “këta ishin si shk****” , është…, çka të të them, s’hahet me asgjë.

2. Në marazin tënd ti po shfaq një konflikt personaliteti, njëfarë skizofrenie ndaj kësaj gjenerate “katundarësh”. Të kuptoj, dhe në përgjithësi pajtohem me ty, se këta dhe kryesisht këta janë përgjegjës për kapjen e shtetit pas luftës, për hajninë, korrupsionin etj. Dhe, po të kishte drejtësi efektive, do të uroja dënimin më të lartë për të gjithë këta që janë fajtorë për stërkeqen socio-ekonomike pas luftës. Por, mundohu të ndash këto dy aspekte. Këta do të gjykohen për luftën, jo për korrupsionin.

3. Nëpërmjet kësaj gjykate mos harro që Kosova dhe UÇK edhe një herë po hapin shtigje të reja e të paprecedente në të drejtën ndërkombëtare e marrëdhëniet ndërkombëtare. Pra, kjo është një lojë e madhe. Interesat janë të mëdha, agjendat po ashtu. Kjo është fushëbetejë në mes parimit të sovranitetit të shtetit (pa marr parasysh sa gjenocidal ishte ai, siç ishte Serbia millosheviqiane), dhe parimit të vetëvendosjes e luftës për të drejta të njeriut e pavarësisë (që personifikohet me betejën fisnike të UÇK-së). Kjo luftë ishte dhe është halë në sy për të gjithë ata komisarë ndërkombëtarë të parimit të parë që bëjnë çmos të hakmerren. Ne nëpërmjet UÇK-së patëm një rol, sado të vogël, në ndryshimin e këtij balanci në favor të të drejtave të njeriut dhe në dëm të sovranitetit që shërben si petk për gjenocid. Pra, ishim në anën e drejtë të historisë. Mos harro krenarinë. Dhe tani, gjykatat dhe e drejta ndërkombëtare këtë do të determinojë, dhe duke bërë kështu do të shkruajë histori për të ardhmen e ligjeve ndërkombëtare. Kjo është loja, dhe ky është roli ynë në të. Rol që tash përfaqësohet nga po këta bartës të UÇK-së.

4. Në fund, urojmë që drejtësia të bëjë të veten. Si u shpallën fajtore, si u shpallën të pafajshëm, urojmë që drejtësia me shpatën e saj sy verbër të preje drejt! Ndërsa shpresoj se ti para se të entuziazmohesh pa kontroll, të vetëdijesohesh se duke përçmuar në fakt je duke përçmuar vetveten dhe identitetin tënd.

Shnet e unitet!

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!