×
Opinione

‘Pritja Strategjike’ për zgjedhjet presidenciale amerikane

Autor:Blerim Shala
09 Shkurt 2024 | 11:24

Të martën e parë të muajit nëntor të këtij viti, apo me 5 nëntor, e gjithë bota politike nuk do të ketë gjumë fare.

Në zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e re të Amerikës (që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e këndej), do të votohet Presidenti i ri i ShBA-së.

Si qëndrojnë punët tani, do të jetë kjo një betejë e re në mes të dy pretendentëve të vjetër (jo vetëm në moshë): presidentit aktual Joseph Biden dhe ish-presidentit Donald Trump.

Dihet që katër vjet më parë, në kulminacionin e Pandemisë së COVID-it, Biden ngadhënjeu mbi Trumpin. Ky i fundit, gjë që është precedent në këtë aspekt, jo vetëm që nuk ia uroi fitoren Bidenit, por kurrë nuk e pranoi humbjen dhe për më shumë, ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në ngjarjet tragjike të 6 janarit (2021), në Capitol Hill, të cilat synonin që të pamundësonin konfirmimin e vullnetit zgjedhor të amerikanëve në këto zgjedhje.

Ta merr mendja që në garën presidenciale, sërish do të jenë ballë për ballë jo dy politikanë, të dytë me gradën President, por dy Amerika, dy Bota, që pos gjuhës së përbashkët (anglo-amerikane), nuk kanë gjë të përbashkët.

Shkurt, nuk ka as edhe një temë e vetme politike, ushtarake, ekonomike, financiare, kulturore, shoqërore, ambientaliste, ku Biden dhe Trump kanë të njëjtin mendim apo të njëjtin qëndrim.

Kur më 3 nëntor të vitit 2020, Biden u bë Presidenti i 46-të i ShBA-së, mbase nuk kishte politikan dhe gazetar amerikan që nuk e ‘shleu’ Donald Trumpin nga politika dhe historia amerikane. U llogarit që Trump ishte një dukuri kalimtare populliste në Amerikë, në krah të një popullizmi përmasash të thuash planetare, i cili pos tjerash e largoi Britaninë e Madhe nga Bashkimi Evropian. Kush ka mundur të supozojë që Trump do të mund të kthehet, veçmas pas atyre zhvillimeve tashmë të përmendura të 6 janarit të vitit 2021?

Trump ende ka para vetes Verdiktin e Gjykatës Supreme, e cila do të mund t’ia ndalë atij kandidimin për President. Por, parashikimet nuk i shkojnë shumë për shtati një vendimi refuzues apo kundërshtues të Gjykatës Supreme, megjithëse diçka e tillë nuk mund plotësisht të përjashtohet.

Zgjedhja e Presidentit të Amerikës, vazhdon të jetë dyluftimi më i rëndësishëm politik në Botë, sepse SHBA-ja tutje është shteti më i fuqishëm dhe më me ndikim në Rruzullin Tokësor.

Por kësaj here, siç u përmend pak më parë, rëndësia e këtyre votimeve është e pashoqe, sepse kemi të bëjmë me përballjen midis dy politikanëve që kanë botëkuptime të ndryshme, madje konfrontuese, si për Amerikën, ashtu edhe për gjithë Botën.

Trump ta zëmë, paralajmëron, pos tjerash, që nëse fiton ai, Amerika do të mund ta braktisë Aleancën Veri-Atlantike, të cilën në vitin 1949-të e ka themeluar vetë, për t’iu kundërvënë kërcënimit të Bashkimit Sovjetik.

John Bolton, i cili ka qenë Këshilltar për sigurinë kombëtare në Administratën e parë të Presidentit Trump, në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për CNN, shprehte bindjen e tij (apokaliptike), që nëse Trump do të rizgjidhet President i ShBA-së, dëmet që ky do t’ia shkaktojë në mandatin e tij Amerikës dhe Botës do të jenë të pandreqshme.

Por, ‘Efekti Trump’ shumë muaj para se të mbahen zgjedhjet në Amerikë, ka hyrë në fuqi që nga 1 janari i këtij viti.

Të gjitha shtetet e rëndësishme në të katër anët e kësaj Bote, kanë hyrë në fazën që mund të definohet si ‘Pritje strategjike’.

Pasiqë Trump ka qenë një herë President, dhe duke pas parasysh që Biden është President në fuqi, nuk ka aspak dilema se kah do të ecën Amerika nëse Biden mbetet në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, ose nëse Trump bëhet sërish President.

Për këtë shkak, është krejtësisht e kuptueshme kjo ‘Pritja strategjike’ si politikë mbizotëruese në Rusi, në Kinë, në Izrael, në vendet arabe, më në fund, edhe në Ballkan.

Asnjëri prej problemeve të mëdha të cilat për çdo natë rrëmbejnë kryelajmet e mediave ndërkombëtare, duke përfshirë këtu luftën në Ukrainë dhe luftën në Gaza, nuk do të zgjidhet para 5 nëntorit të këtij viti.

Duket që ky konkludim ka vlerën e njëjtë kur flitet për mundësinë e një epilogu të dialogut në mes të Autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!