×
Opinione

Profili psikologjik i Radovan Karaxhiçit

Reporteri
21 Mars 2019 | 15:54

Autor: Esheref Haxhiu


“Asgjë nuk është më e lehtë se sa denoncimi i keqbërësit, por asgjë më e vështirë se sa të kuptosh atë”, Fjodor Dostojevski.


Radovan Karaxhiç, përgjegjësi kryesor i gjenocidit në Bosnjë, u lind në fund të Luftës së Dytë Botërore, më 1945, në një fshat malor në Mal të Zi, Petnjicë. Prindërit e tij, Vuko dhe Jovanka, kishin tre fëmijë, ndërkaq Radovani ishte fëmija i tyre i parë. Vuko Karaxhiç, i cili kishte luftuar përkrah çetnikëve kundër nazisteve gjerman dhe partizaneve të Titos, pas luftës ishte burgosur nga këta të fundit, kështu që Radovani u rrit pa babanë e tij. Atë e rriti dhe e edukoj mamaja, Jovanka, e cila me shumë vështirësi arrinte që të kultivonte sasinë e mjaftueshme të patateve për të ushqyer fëmijët e saj (Borger, 2016).

Pas përfundimit të shkollës fillore dhe të mesme, Karaxhiç u zhvendos në Sarajevë, ku edhe vazhdoj studimet e tij për psikiatri në Universitetin e Sarajevës. Ai ishte i pari në familjen e tij, ndër shumë brezash, që arriti të shkollohej. Paralel me psikiatrinë, Karaxhiç zhvilloj edhe pasionin e tij për literaturë dhe poezi, që e vazhdoj gjatë gjithë kohës.

Gjatë studimeve, ai u njoh dhe më pas u martua me studenten e drejtimit të njëjtë, Ljiljana Zelena, me të cilën patën dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë (Donia, 2015). Gruaja e tij, Ljiljana, e përshkruante bashkëshortin e saj si një prind i mirë dhe i përgjegjshëm.

Gjatë kohës sa ishte student, Karaxhiç u bë aktiv në rrjetet politike studentore, ndonëse nuk ishte shumë i mirëpritur nga kolegët e tij, ngaqë dyshohej se ishte informator i policisë (Post & Dekleva, 1997). Pas mbarimit të studimeve, më 1970, ai shkoj në Danimarkë për të vazhduar studimet për çrregullimet neurotike dhe depresionin, dhe më pas, më 1971, filloj të praktikoj profesionin e tij në Sarajevë. Paralel me punën e tij si psikiatër, ai filloj të publikoj si poet, dhe në të njëjtën kohë punonte edhe si këshillues për dy ekipe të futbollit, njërin në Sarajevë dhe tjetrën në Beograd (Donia, 2015). Më vonë, gjatë viteve 1974-1975, Karaxhiç shkoj në New York, në Universitetin e Kolumbias, për të vazhduar studimet post-diplomike, paralelisht, në psikiatri dhe poezi. Pas kthimit në Jugosllavi, ai vazhdoj praktikimin e profesionit të tij si psikiatër në spital dhe në të njëjtën kohë merrej edhe me poezi. Përmbajtjet e tij poetike janë të errëta dhe përshijnë skena të shumta të dhunës, vdekjes dhe shkatërrimit (Post, 2004). Thuhet se ai u ndikua shumë nga shkrimtari, i njohur si babai i kombit Serb, Dobrica Cosiç (Judah, 1997). Ndërkaq, vet Karaxhiç thoshte se e ndjente të nevojshme të shkruante, ngaqë, sipas tij, vetëm nëpërmjet shkrimeve dhe poezisë kombi mund ta mbroj vetën (Post, 2004). Kjo bindje e tij për ta parë kombin si të kërcënuar vë në pah elementet e tij ksenofobe dhe të paranojës, ndërkaq përpjekja e tij për ta mbrojtur atë nëpërmjet poezisë, vë në pah tendencat e tij narcizoide dhe sensin e madhështisë së vetës. Këto karakteristika të tij, më vonë e shpërfaqin vetën edhe gjatë kohës së gjenocidit në Bosnjë. “Bëj gjenocid ndaj tyre para se ata të mund të bëjnë ndaj jush”, citohet të ketë thënë Karaxhiç gjatë asaj kohe (cituar sipas Encyclopaedia of World Biography, 2016).

Karaxhiç, po ashtu, njihej edhe si abuzues i alkoholit dhe bixhozit. Ndërsa, më 1985 ai ishte burgosur për rreth 11 muaj nën akuzën për keqpërdorim të parasë publike (Post & Dekleva, 1997). Ai, po ashtu, akuzohej se u shiste pacienteve të tij diagnoza të rrejshme me qëllim të përfitimit të pensioneve të parakohshme.

Duke qenë se profesioni dhe krijimtaria letrare ishin të pamjaftueshme për të, Karaxhiç vazhdoj të kërkoj realizimin e vetës edhe nëpërmjet politikës. Pasi punoj disa kohë në Partinë e Gjelbër, më 1990 ai ndihmoi në themelimin e partisë së re, Partisë Demokratike Serbe (SDS), e cila si objektivë kryesore kishte krijimin e Serbisë së madhe. Dy vite më vonë, pasi që Bosnja dhe Hercegovina ishin njohur si vend i pavarur, Karaxhiç e deklaroi pavarësinë e Republikës Serbe të Bosnjës, e njohur si Srepska Republika, dhe veten si lider të saj. Për këtë ai e kishte mbështetjen e plotë të Slobodan Milosevicit. Nga viti 1992 deri më 1995 në Bosnjë ndodhi një luftë e paparë në të cilën u vranë mbi 200, 000 veta dhe mbi një milionë të tjerë u depërtuan (Cigar, 1995). Brutaliteti i kësaj lufte krahasohet me torturën dhe ekzekutimet që u bënte Hitleri hebrenjve në kampet e përqendrimit gjatë luftës së dytë botërore.

Vlen të theksohet se, para së të ndodhte gjenocidi në Bosnjë, Asociacioni Amerikan i Psikiatërve, më 1993, kishte shprehur kundërshtimet e saj në raport me Karaxhiçin si profesionist i shëndetit mendor. Në kundërshtimin e tyre, APA thoshte se veprimet e Karaxhiç janë kundër etikës profesionale dhe se ato cenojnë rëndë të drejtat e njeriut (Post and Dekleva, 1997).

Më vonë, i akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës dhe Gjenocid, Karaxhiç, në vend që të dorëzohej dhe të mbronte vetën para drejtësisë, ai zgjodhi që të arratisej dhe të jetonte një jetë sekrete për 13 vite më radhë. Gjatë kësaj kohe, ai e ndryshoj jo vetëm emrin dhe dokumentet e tij, por edhe tërë personalitetin e vet. Rrjedhojë e kësaj, ai vazhdoj të jetoj një jetë aktive në Vjenë dhe Beograd, dhe askush nuk mund të mendonte se personi nën të cilin ai u maskua, David Babic, ishte saktësisht Radovan Karaxhici. Madje, edhe diplomatët e huaj spekulonin se ai kishte vdekur, përderisa familja e tij përpiqej që të siguronte një certifikatë vdekjeje (Borger, 2016).

Gjatë kësaj kohe, Karaxhiç, nën identitetin e Dr. David Babicit, praktikoj mjekësinë alternative, duke pretenduar se ofronte shërim shpirtëror për sëmundje të ndryshme kronike (Borger, 2016). Në botën e mjekësisë alternative, ai ishte një person i njohur dhe shkruante artikuj të rregullta në revistën nacionale “Jeta e Shëndetshme”. Në ndërkohë, ai bashkëpunonte edhe me seksologjistin, Savo Bojovic, që pretendonte se arrinte të rinovonte spermën e meshkujve infertil (Jack, 2009). Kështu, Karaxhiç, nga një profesionist i shëndetit mendor dhe poet, u shndërrua në një politikan gjenocidal, për t’u bërë më pas “shërues shpirtëror” i njerëzve. “Karaxhiç ishte një kameleon i vërtetë. Asgjë nuk është më e rëndësishme në të kuptuarit e tij se sa kapaciteti i tij për transformim të menjëhershëm për të arritur efektet maksimale” (Donia, 2015). Karakteristikat e personalitetit të tij nuk e lënë të zbrazur asnjërin nga këndet e të ashtuquajturës treshe e errët (ang. Dark Triad): narcizmit, makiavelizmit, dhe psikopatisë. Këto tri karakteristika e bënë Karaxhiçin aq të suksesshëm në manipulime sa që, nën maskën e Dr. Babicit, ai mbajti shumë ligjërata, seminare dhe diskutime publike, ku edhe njohu një grua, Mila Cica, e cila, pas arrestimit të Karaxhiçit pohonte se nuk e kishte idenë për identitetin e tij të vërtetë (Borger, 2016).

Gjatë kësaj kohe ai në vazhdimësi e sfidonte Interpolin dhe shërbimet tjera inteligjente, duke publikuar libra nën emrin e tij të vërtetë – Radovan Karaxhiç. Libri i ti i fundit, “Kronika e Mrekullueshme e Natës”, e cila u publikua në vitin 2004 u shit brenda ditës në Beograd (Borger, 2016).

Më vonë, në vitin 2008, në moshën e tij 63 vjeçare, Karaxhiç u arrestua përderisa ishte duke udhëtuar me autobus në Beograd. I njëjti u dërgua për gjykim në Hagë, ku fillimisht u dënua me 40 vite burgim; së fundi, apeli vendosi për burgim të përjetshëm. Në gjykim ai vendosi që të mbroj vetveten, duke thënë se e ka një “këshilltar të padukshëm”, që mendohet të ketë nënkuptuar Zotin (Borger, 2016). “Një narcisit në dhomën e gjygjit, asgjë më pak se në jetën e tij publike, ai e projektonte personalitetin dhe sjelljen e tij tek ata në të cilët ai supozonte se fliste. Sipas narratives së tij, ai ka jetuar, vepruar dhe luftuar për popullin Serb, dhe do të vazhdoj të vuaj në emrin e tyre, po ashtu. Ai besonte në kauzën e tij dhe vetën e shihte si protagonist kryesor të saj (Donia, 2015). Kësi lloji, Karaxhiç konsiderohet se ka shkallë të lartë të narcizmit dhe sensit të madhështisë së vetës (Post & Dekleva, 1997) deri në atë pikë sa të mendoj se Zotin e ka mbrojtës të tij në gjykatë.

Si përfundim, ndonëse nuk është as e drejtë dhe as synim i autorit të këtij shkrimi diagnostikimi i Karaxhiçit nga distanca, pohimet dhe veprimet e tij japin indikacione për prani të disa çrregullimeve psikologjike. Në të njëjtën kohë, nuk mund të mohohen as shenjat e tij të një personi me inteligjencë shumë të lartë.

*(Autori Esheref Haxhiu është kandidat për doktoraturë në fushën e psikologjisë në Universitetin e Varshavës. I njëjti, po ashtu, është kandidat specialist në fushën e psikoterapisë pranë Asociacionit Israelit për Terapi Kognitive-Biheviorale. Në të njëjtën kohë, punon si psikolog në Departamentin Shëndetësorë të Burgjeve në Kosovë). 

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!