×
Opinione

Propaganda e (mos)qeverisjes, rasti i videos së Lëvizjes Vetëvendosje

Reporteri
04 Tetor 2022 | 16:00

Autor: Xhezair Dashi


Rëndom, kur dëgjojmë termin propagandë, atë e konceptojmë si manipulim aktiv të opinioneve ose çfarëdo lloj shtrembërimesh që provohet t’i bëhet të vërtetës, qëllimi i së cilës është farkëtimi dhe formësimi e mbase edhe indoktrinimi i një seti opinionesh ndaj audiencës së shënjestruar.

Fjalori i Oksfordit e përkufizon propagandën si “ide ose deklarata që mund të jenë të rreme ose të ekzagjeruara dhe që përdoren për të krijuar mbështetje për një lider ose parti politike, e të tjera…”.

Të hënën kur 20 mijë punonjës të arsimit u lanë pa pagat e tyre mujore, Lëvizja Vetëvendosje iu kthye zanatit të vjetër – propagandës.

Përmes aranzhimit selektiv, të anshëm, të filtruar, tendencioz të pamjeve – përmes fajësimit të gjithçkaje “Tjetër” nga ta – përmes dehumanizimit, kriminalizimit, dekredibilizimit të “keqbërësve”, “hajnave”, njerëzve “anti-shtet”, dhe projektimit të së “Mirës” në anën e tyre, Vetëvendosje synoi të vazhdojë rikultivimin e propagandistikës së saj të vjetër.

Një vit e gjysmë në pushtet, rezultate që s’shihen kund në horizont, Vetëvendosja iu kthye horizontit të saj të vjetër, ku edhe gjithmonë ka qenë operimi i saj.

Të analizojmë një tabelë e cila paraqet shkencërisht se çfarë “duhet” të përmbajë një video propagandistike për të qenë propagandistike, të botuar në “Journal of Media Literacy Education” nga Renee Hobbs dhe Sandra Mcgee.

  1. T’i quash me emra – përkufizimi: Marifeti për të na bërë të pranojmë një konkluzion pa konsideruar plotësisht faktet thelbësore në një rast.
  2. Bashkëngjitja – përkufizimi: Marifeti i përdorur për të kapur ndjenjat tona, për të na bërë të ndjekim prijësin karizmatik politik dhe të sjellim edhe të tjerët me ne.
  3. Përgjithësimet vezulluese – përkfuzimi: Përpjekjet për të lëkundur ndjenjat përmes përdorimit të idealeve të larta ose virtyteve, si liria, drejtësia, e vërteta, arsimi, demokracia në një mënyrë madhore.
  4. Valëvitje flamush – përkufizimi: Marifeti ku propagandisti përdor një simbol, si flamujt, që ne njohim dhe respektojmë.
  5. “Njerëz të thjeshtë” – përkufizimi: Marifeti ku propaganduesi dëshmon se ai është njëjtë sikur të gjithë ose njerëz të thjeshtë të drejtë.
  6. Dëshmia – përkufizimi: Më së miri e paraqitur në votën me kashtë, ky marifet përfshin arritjen e qytetarëve të thjeshtë dhe solid, por edhe liderët social dhe biznesorë që përqafojnë partinë ose kandidatin.
  7. Renditja e letrave – përkufizimi: Marifeti ku propagandisti qëllimisht ose joqëllimisht i vendos letrat kundër fakteve.

Në të shtatë këto pikat jemi në Lëvizjen Vetëvendosje. Me emërtimin “anti-shtet”, Lëvizja Vetëvendosje, e quan opozitën aktuale parlamentare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atëbotë opozitar, ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, e quante “ky i ashtuquajturi president”, gjë që, semantikisht, do të thotë se Kurti atëbotë s’e njihte postin e Presidentit të Kosovës, si institucioni, sipas Kushtetutës, më i rëndësishmi i shtetit.

Himni dhe flamuri shtetëror i Kosovës, nuk gëzonte as as lëvizje të një nervi trupor, siç edhe është e mbarëditur. Pra, rrjedhimisht, njëanësia.

Paraqitja si “Ata, të këqijtë” në kontrast me Vetëvendosjen, gjithashtu futet në segmentin e propagandës, ngase Lëvizja Vetëvendosje ka qenë bashkëpunëtore politike me të gjithë të tjerët, përveç PDK-së jo, ndonëse në nivele lokale po.

Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë, për 20 vite e kanë qeverisur vendin”, përcillet me një fotografi selektive të ish-liderëve institucionalë, ku dy prej tyre po mbahen në burgim në Hagë për krime të pretenduara lufte, dhe që, as nuk janë më kundërshtar politikë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Njëri prej tyre s’ka kaluar as pragun, ndërsa dy të tjerët janë minorë për nga pesha parlamentare që posedojnë.

“Herë vetëm, herë me njëri-tjetrin. Më shumë bashkë. Bashkë në Kosovën e ndarë në zona interesi”, vazhdon videoja, përmes frazave të tejthjeshtuara si ninulla për të përgjumur logjikën në paragjykim.

Pastaj vjen pika kontradiktore. “Formalisht të ndarë në parti të ndryshme, praktikisht në një qëllim”.

Kjo nënkupton që bashkëpunimet me VLAN, e me LDK-në në qeverisje, edhe ata vet janë futur në këtë “njënë” joformale, që i akuzon për kriminale.

Pastaj vijnë pamjet të “ndërtesave” të “dhënie-marrjes” të parave, të seleksionura për të përçuar mesazhin vizual të “korrupsionit”, e ku më pastaj palohen para-mbi-para.

Mëpastaj efekti i kontrastit goditës. Ne te mirët. “Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, Lëvizja Vetëvendosje”, thotë videoja, e cila empirikisht nuk qëndron. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!