×
Opinione

Rruga përpara: Tranzicioni i Energjisë së Gjelbër në Kosovë

Autor:Sergiy Maslichenko
18 Qershor 2024 | 21:01

Tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe më të qëndrueshme është një nga sfidat kryesore të kohës sonë ndërsa përpiqemi të sigurojmë një të ardhme për botën. Situata është e ngutshme në mbarë tokën, dhe në Ballkanin Perëndimor diversifikimi i burimeve të energjisë është thelbësor (platforma për tranzicionin energjitik të Maqedonisë së Veriut e lançuar në COP28 me mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e demonstron këtë fakt). Kosova nuk bën përjashtim.

Ky vend aktualisht mbështetet për 90% të furnizimit të saj me energji tek qymyri, çka sjell një situatë të mbushur me sfida mjedisore, ekonomike dhe sociale.

Pata kënaqësinë të flas për këtë temë në konferencën “Navigimi i rrugës për një të ardhme më të gjelbër”, e mbajtur së fundmi, ku diskutova mbi përfitimet urgjente dhe transformuese të një tranzicioni të gjelbër energjitik për Kosovën. Megjithëse vendi varet në mënyrë të konsiderueshme tek djegia e qymyrit për sigurimin e energjisë, një e ardhme më e ndritur dhe më e gjelbër është e arritshme, dhe këtë është thelbësore që Kosova të përshpejtojë tranzicionin e saj energjitik, siç përcaktohet nga qeveria në Strategjinë Kombëtare të Energjisë deri në vitin 2031. Ky qëllim mund të arrihet përmes dy shtyllave kryesore: rritja e përqindjes së energjisë të rinovueshme në prodhimin e përgjithshëm të energjisë dhe ulja e kërkesës duke përmirësuar efiçencënenergjitike në të gjithë sektorët, përfshirë ndërtesat publike dhe rezidenciale, transportin publik, shërbimet dhe industrinë.

Përfitimet që sjell energjia e rinovueshme për Kosovën

Avantazhet e kalimit në energji të rinovueshme janë të shumta. Në thelb, për ta përmbledhur, këto burime janë më ekonomike, më të pastra dhe më të qëndrueshme.

Burimet e energjisë së rinovueshme si era, dielli dhe hidroenergjia janë më të përballueshme në një pikëpamje afatgjatë në krahasim me mirëmbajtjen e gjenerimit të energjisë me qymyr që është joefikase dhe e vjetëruar. Sektori ekzistues i energjisë në Kosovë jo vetëm që është i vjetër dhe nuk ofron garanci, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë për qytetarët dhe bizneset, por është gjithashtu jashtëzakonisht ndotës, duke paraqitur rreziqe të mëdha shëndetësore dhe mjedisore.

Kalimi në energji të rinovueshme do të lehtësojë këto problematika, duke siguruar një furnizim me energji më të pastër dhe më të besueshëm që mbështet stabilitetin dhe rritjen ekonomike. Për më tepër, projektet e energjisë së rinovueshme kanë potencialin për të krijuar vende të reja pune dhe për të stimuluar shërbimet brenda ekonomisë, duke nxitur një treg pune më dinamik dhe më të qëndrueshëm.

Roli i efiçencës energjitike

Reduktimi i kërkesës për energji përmes përmirësimeve të efiçencës është po aq kritik. Duke rritur efiçencën energjitike në ndërtesat publike dhe rezidenciale, transportin publik, shërbimet dhe industritë, Kosova mund të ulë ndjeshëm konsumin e përgjithshëm të energjisë. Kjo qasje jo vetëm që redukton trysninë mbi burimet energjitike, por gjithashtu përkthehet në ulje te kostove për bizneset dhe familjet.

Masat e efiçencës energjitike shpesh përfshijnë adoptimin e teknologjive dhe praktikave moderne që mund të rrisin më tej produktivitetin dhe konkurrencën ekonomike. Disa nga projektet tona në këtë sektor mundësojnë pikërisht këtë.

BERZH ka siguruar së fundmi deri në 4 milionë euro për një bankë partnere për të rritur investimet për efiçencën energjitike në sektorin rezidencial në Kosovë. Duke mbështetur teknologjitë e gjelbra me performancë të lartë, materialet dhe zgjidhjet në ndërtesat rezidenciale, synojmë të rrisim standardet e gjelbra, të reduktojmë emetimet e CO2 dhe si qëllim final, të përmirësojmë cilësinë e jetës për qytetarët e Kosovës.

Përshpejtimi i tranzicionit energjitik

Ndërsa qeveria e Kosovës ka miratuar një strategji ambicioze energjitike, ritmi me të cilin do të zbatohet është thelbësor. Objektivi për një kapacitet shtesë prej 1300MW energjie të rinovueshme deri në vitin 2031 është i arritshëm, por kërkon një përpjekje të përbashkët dhe një mbështetje më të madhe në sektorin privat. BERZH ka kontribuar tashmë në tranzicionin energjitik të Kosovës, duke financuar projekte si fermat e erës 105 MW Bajgora dhe 32.4 MW Kitka, si dhe duke bashkëfinancuar një projekt inovativ për ngrohjen e shtëpive me energji diellore në Prishtinë në bashkëpunim me KfW dhe Bashkimin Europian.

Megjithatë, këto përpjekje duhet të rriten në mënyrë të ndjeshme. Mund dhe duhet të bëhet më shumë. Këto projekte duhet të shihen për atë që janë, një model për t’u ndjekur dhe vetëm fillimi i asaj që Kosova duhet të synojë.

Ne jemi këtu për të ndihmuar, me përvojën e duhur, fondet dhe gatishmërinë për të shoqëruar qeverinë e Kosovës në këtë rrugëtim.

Mbështetja e investimeve dhe kuadrit rregullator

Në BERZH, kemi bashkëpunuar me shumë zhvillues të njohur të energjisë së rinovueshme të cilët kanë propozuar projekte që arrijnë një kapacitet prej 1000MW të energjisë diellore dhe të erës. Por që këto projekte të materializohen, Kosova duhet të përmirësojë kuadrin e saj rregullator, duke lehtësuar zhvillimin e shpejtë të energjisë së rinovueshme përmes marrëveshjeve për të blerë energji korporative (c-PPA). Këto marrëveshje janë thelbësore për të tërhequr likuiditetin e nevojshëm për suksesin e tregut të energjisë së Kosovës dhe integrimin më të gjerë të energjisë së rinovueshme.

Për më tepër, ankandet e energjisë së rinovueshme të mirëprojektuara dhe të menaxhuara me sukses janë një mekanizëm jetik për të tërhequr investitorë të njohur. Kjo qasje ka parë sukses të qënësishëm në Shqipërinë dhe Serbinë fqinje, ku mbështetja e BERZH ka ndihmuar në ankandin e pothuajse 800MW të kapacitetit të ri të energjisë së rinovueshme vetëm në Shqipëri gjatë katër viteve të fundit. Kosova ka iniciuar këtë proces dhe duhet të vazhdojë të shfrytëzojë mbështetjen nga BERZH dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të ndërtuar mbi këtë momentum.

Zgjidhjet e decentralizuara të energjisë

Projektet me përmasa të mëdha nuk janë zgjidhja e vetme; vendosja e instalimeve të vogla të decentralizuara si sistemet fotovoltaike (PV) në çati për bizneset dhe shtëpitë është po aq e rëndësishme. Këto instalime rrisin sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjitike të Kosovës duke diversifikuar rrjetin energjitik dhe duke reduktuar varësinë nga burimet e vetme të energjisë. BERZH ka mbështetur afërsisht 100 projekte të tilla me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe rreth 600 familje përmes linjave të kreditimit me banka partnere nën Programet për Konkurrencën dhe Rigjenerimin e NVM-ve, si dhe Strukturën e Financimit të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF).

Rruga përpara

Kosova ndodhet në një pikë kyçe për të ardhmen e saj energjitike. Tranzicioni drejt një sistemi energjitik më të gjelbër nuk është vetëm një nevojë mjedisore, por edhe një domosdoshmëri ekonomike. Duke përqafuar energjinë e rinovueshme dhe efiçencën energjitike, Kosova mund të ndërtojë një të ardhme më të qëndrueshme, më rezistente dhe më të begatë për qytetarët e saj. Qeveria, sektori privat dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të punojnë së bashku për të përshpejtuar këtë tranzicion, duke siguruar që përfitimet e një të ardhmeje më të gjelbër të realizohen për të gjithë.

Rruga përpara kërkon veprime të guximshme, investime të durueshme në kohë dhe përkushtim të palëkundur ndaj një Kosove më të gjelbër dhe më të qëndrueshme. Është një udhëtim sfidues, por përfitimet —ajër më i pastër, një furnizim më i besueshëm me energji, rritje ekonomike dhe përmirësim i cilësisë së jetës—ia vlejnë përpjekjen. Ndërsa Kosova shkon në këtë drejtim, ajo ka potencialin të bëhet një histori suksesi dhe një model i tranzicionit energjitik në Ballkan dhe më gjerë.

Koha për të filluar realizimin e kësaj historie suksesi është tani.

(Sergiy Maslichenko është drejtor i BERZH-it në Kosovë)

 

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme
Opinione

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!