×
Opinione

Shkarkimi i Valdete Dakes dhe pasojat për Vjosa Osmanin

Reporteri
14 Qershor 2021 | 18:03

Autor: Shqipe Pantina


Bashkimi politik i Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit në zgjedhjet e kaluara, u pa si shpresë për lindjen e një mënyre të re të politikë bërjes që do e çonte vendin drejt ç’kapjes së shtetit, luftimit të korrupsionit dhe si rrjedhojë e një mirëqenie dhe jete më të mirë për qytetarët e Kosovës. Kjo besoj ishte edhe arsyeja kryesore që bëri që gjysma e votuesve të jua besonin votën partisë qe drejtohej nga Osmani-Kurti.


Pas përfundimit të zgjedhjeve kishte edhe zëra të tillë që thanë se Vjosa dhe Albini janë rivalët kryesorë dhe simpatizuesit apo besimtarët e njërit dhe tjetrin pretendonin se ky respektivisht kjo do e fundos politikisht tjetrin. Përkundër thashethemeve të tilla këta të dy vazhduan të qeverisin bashkë dhe Kurti mbajti premtimin duke e zgjedhur Osmanin Presidente, dhe kjo e fundit vazhdon të mbetet lojale nda tij.

Ata që kanë përcjellë më nga afër karrierën politike të Kurtit besoj e dinë që Kurti është shumë i kujdesshëm në ekzekutimin e vendimeve, sidomos atyre qe ose janë problematike në raport me ligjshmërinë ose janë jo popullore. Zakonisht ai përdor një ekzekutor apo nënshkrues të tyre dhe vetëm nëse bëhet fjalë për marrjen e meritave e bënë këtë, kurse përgjegjësinë çdo herë e vë tek dikush tjetër. Kështu kishte bërë edhe në parti e kështu po bënë edhe në qeveri.

Vendimi i tij i fundit për shkarkimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e ilustron më së miri këtë. Për më tepër Kurti me një guri ka vrarë dy zogj në këtë rast. E para përmes Vjosa Osmanit ai ka shkarkuar Valdete Daken e cila ka treguar integritet dhe mos bindje karshi regjimit të ri. Dorën në zemër të njëjtin qëndrim ajo e kishte mbajtur edhe në raport me pushtetin e kaluar.

Por fitorja e tij më e madhe është se më një veprim të tillë ai shënoj edhe dy fitore tjera: njërën momentale e tjetrën afatgjate. E para (momentale) e tërhoqi vëmendjen e publikut nga takimi me Vuçiqin që mbahet një ditë pas shkarkimit të Dakes, dhe e dyta dhe më e rëndësishmja nga tash Vjosa Osmani është e shantazhueshme nga Kurti. Sot ka pas reagime të shumta nga organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile, por komuniteti ndërkombëtar duke se e ka vëmendjen tek takimi i nesërm Kurti-Vuçiq. Por shkarkimi i Dakes padyshim do evidentohet si shkelje në raportin e Komisionit Evropian. Kjo mund të jetë arsye e mjaftueshme që Kurti kurdo që Presidentja refuzon të ja ekzekutoj ose nënshkruaj vendimet e radhës ta kërcënoj me shkarkim nga pozita.

Vjosa Osmani e ka ndërtuar karrierën e saj politike kryesisht duke kundërshtuar dy liderë politikë; Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën. A do mundet ajo sërish të ngritët politikisht tash duke kundërshtuar Albin Kurtin? Ndoshta edhe ngritët, por ndoshta edhe jo!

Pra shkarkimi i sotshëm i Valdete Dakes nga Vjosa Osmani nuk do i sjell shumë pasoja zonjës Daka, ajo është gjyqtare dhe i kthehet punës së saj në Gjykatë, por qytetarëve të vendit mund të ju sjell pasoja duke vonuar edhe më tutje liberalizimin e vizave për shkak të ndërhyrjes së politikës në institucionet e pavarura. E mundet të i sjell shumë pasoja edhe vet Vjosa Osmanit e cila kishte filluar të bëhej simbol i vajzave të reja për angazhim politikë, por një hap i pamenduar mirë i saj mund të shkatërroj përfundimisht karrierën e saj politike.

Për të ardhur keq!

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!