×
Opinione

Si do ta pranonte Albin Kurti marrëveshjen me Serbinë?

Reporteri
07 Mars 2022 | 10:31

Autor: Afrim Kasolli


Para pak dite, diplomati Gabriel Escobar, gjatë komenteve mbi krizën në Ukrainë, nuk la pa e përmendur edhe rëndësinë që ka “dyfshimi i përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshje kompromisi midis Kosovës dhe Serbisë”, pikërisht në këtë kohë.

Pra, në vend të margjinalizimit të kësaj teme, për shkak të një krize më të madhe, ai deklaroi se përkushtimi për një marrëveshje të tillë, duhet të jetë më intensiv tani, se asnjëherë tjetër më parë, në mënyrë që të mbyllen vatrat tjera të konflikteve gjeopolitike në kontinent.

Jo shumë kohë më parë, ai së bashku me të ngarkuarin evropian Mirosllav Lajçak, në funksion të kësaj agjende, e patën vizituar si Kosovën ashtu edhe Serbinë. Kurse, nuk vonoi shumë dhe një lëvizje të tillë e bëri edhe emisari i Britanisë së Madhe, Sir Stuart Peach.

Gjatë takimeve që ata patën me autoritetet vendore politike, si kryeministrin dhe presidenten, e theksuan pa ekuivoke një gjë; nevojën urgjente që e ka Kosova për ta finalizuar këtë marrëveshje, sepse, sipas tyre, status quo-ja është bërë frustuese dhe e rraskapitëse. Prandaj, kjo gjendje pezull duhet të tejkalohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Këto mesazhe të qarta të përfaqësueseve ndërkombëtarë me të drejtë kanë ngritur shumë pyetje, dilema dhe spekulime mbi vullnetin dhe seriozitetin e palëve për t’iu qasur kësaj teme ashtu siç po kërkohet dhe pa obstruksione. Kuptohet, që ky proces për t’u kanalizuar në binarë të duhur nevojitet që të dy kryeqytetet të demonstrojnë angazhim konkret në funksion të këtij qëllimi. Nuk mjafton vetëm përkushtimi i njërës anë. Mirëpo, se cili do të mund të jetë qëndrimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kjo është një temë tjetër.
Shumë analistë dhe opinionistë politikë, kanë theksuar se duke marrë parasysh kërkesat e qarta të diplomatëve të sipërpërmendur drejtuar palës kosovare që ta gjejë rrugën e zbatimit të asociacionit, pasi ky i fundit është një obligim ndërkombëtar që shteti Kosovës e ka marrë në dialogun e Brukselit, kanë pohuar se kryeministri Albin Kurti, mund të dështojë në këtë pikë, pasi në vazhdimësi ai ka deklaruar se nuk do të zbatojë atë marrëveshje.

Madje janë ngritur shqetësime se një refuzim i tillë do ta favorizonte Serbinë, sepse pas dy dekadave të negocimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësim të jashtëm, për herë të parë Kosova do të akuzohej si palë e papërgjegjshme dhe që e saboton dialogun pasi është betonuar në qëndrime antagoniste, sidomos ndaj vendeve tona mike, të cilat edhe ishin më meritoret në rrugëtimin e shtet-ndërtimit të Kosovës. Kurse, siç dihet, ato edhe sot e kësaj dite nëpërmjet mbështetjes së tyre e mirëmbajnë qëndrueshmërinë e këtij shteti. Me këtë rast kjo do të na dëmtonte tej mase, si dhe do të rrezikonte ta penalizonte Kosovën për një kohë të gjatë e me pasoja të paparashikueshme.

Fitorja e brendshme historike si kusht për marrëveshje për Serbinë

Sidoqoftë, ndonëse këto hipoteza mund të jenë të qëndrueshme, megjithatë ato nuk i marrin parasysh disa faktorë tjerë që mund të jenë vendimtarë për mënyrën se si do të mund të sillej kryeministri i vendit në raport me këto presione ndërkombëtare për ta rifilluar sa më shpejt procesin e dialogut, i cili ka kohë që ndodhet në një gjendje komatoze. Pra, që në vend të vajtje-ardhjeve turistike në relacionin Prishtinë-Bruksel, të të emëruarit të qeverisë për dialog, Besnik Bislimi, bajrakun e kësaj teme ta merrte vetë kryeministri Kurti.

Gjithsesi, ndonëse kompetencat e Asociacionit apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, mund të jenë sfidë serioze në vazhdimin e negociatave, megjithatë pengesa ose nxitja kryesore në raport me këtë agjendë ka gjasa të kushtëzohet nga ngarkesat ideologjike dhe narracioni historik që Albin Kurtit do t’i duhet për t’u justifikuar për këtë akt. Pra mënyra se si ai e projekton rolin dhe vendin që do ta zinte në historinë moderne të Kosovës, pas pranimit eventual të një marrëveshjeje të tillë, mund të jetë njëri nga shkaqet kryesore që do ta përcaktojë vullnetin e tij, për t’u impenjuar në këtë proces.

Cilat gabime fatale të drejtuesve paraprakë politikë të vendit, kryeministri ia doli t’i korrigjojë? Dhe nga cilat rreziqe e shpëtoi Kosovën me anë të një marrëveshje të tillë? Nëse Albin Kurti nuk arrin të sajojë qëndrim afirmativ në raport me këto pyetje atëherë vështirë se ai do të demonstrojë vullnet për t’u involvuar sa duhet në këtë ndërmarrje të sponsorizuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, lideri i Vetëvendosjes, sot nuk ka problem me shumicën e liderëve në skenën politike të vendit. Sepse, përjashto Ramush Haradinajn, që vjen nga trashëgimia e luftës, dy të tjerët, Memli Krasniqin e PDK-së dhe Lumir Abdigjikun e LDK-së i konsideron vetëm si administratorë partiakë dhe asgjë më shumë. Madje s’është e rastësishme që kohë më parë kryeparlamentari Konjufca e pat përshëndetur ndërrimin e lidershipit politik në këto parti si një ogur të mirë për Kosovën, ngase sipas tij ato po i nënshtrohen procesit të domosdoshëm të reformave, duke injoruar totalisht arsyet pse e detyruan PDK-në ta ndërmerrte një veprim të tillë.

Rrjedhimisht, është pesha e liderëve të së kaluarës dhe trashëgimia e tyre historike dhe politike, fillimisht e Ibrahim Rugovës, që nuk ndodhet në mesin e të gjallëve dhe e Hashim Thaçit, fati i të cilit aktualisht dihet nga të gjithë ne, që e ndjekin pas të parin e qeverisë si një fantazmë. Pra, fakti se sa do të arrijë ai të çlirohet nga ky makth do ta formojë boshtin e përpjekjeve të tij kryesore politike edhe në negociatat me Serbinë.

Mirëpo, pasi një betejë në shumë fronte do të ishte më vështirë e menaxhueshme, atëherë me këtë rast më shumë se Ibrahim Rugova, targeti i tij kryesor mund të jetë vetëm Hashim Thaçi. Sepse më këtë strategji do ta kishte më të lehtë ta miklonte LDK-në. Madje, ka kohë që të parin ka filluar ta rehabilitojë në aspektin politik dhe historik. Sepse ish-lideri i LDK-së nuk është vetëm një kritik letrar, por edhe një figurë që gëzon një vend meritor në panteonin tonë të historisë. Kjo aleancë, ta quajmë kushtimisht pragmatike, kushtëzohet nga kalkulimet strategjike dhe taktike të kryeministrit që ta ketë më të lehtë ta orientojë fushatën e tij vetëm ndaj ish-liderit të PDK-së, si pjese e betejës së tij historike dhe politike. Shto këtu faktin, kur dihet roli dhe pesha e tij si në Konferencën e Rambujesë ashtu në procesin e shpalljes së pavarësisë së vendit.

Dhe Albin Kurti është i vetëdijshëm për rolin e tij politik plotësisht margjinal në këto dy ngjarje madhore për historinë e Kosovës. Ku e para solli çlirimin dhe dyta shtetësinë. Prandaj, edhe kryeministri e ka nevojë inherente që me anë të një marrëveshjeje eventuale me Serbinë ta kompensojë këtë “zbraztësi historike”. Pra vetëm nëse Albin Kurti arrin ta bind vetën dhe ta imponojë narracionin se më në fund ia doli që ta shfronzojë lexuesin e deklaratës së pavarësisë nga historia moderne e Kosovës, ai do të angazhohet seriozisht në procesin e dialogut. Në të kundërtën, do ta sabotojë atë me lloj-lloj justifikime politike, kushtetuese dhe juridike.

Pra imponimi i rrëfimit se më këtë marrëveshje roli i kryeministrit na del si shprehje e rrjedhës së domosdoshme të përpjekjeve të popullit shqiptar në Kosovë për shkëputje nga Serbia, kurse i atij të Hashim Thaçit si një aksidencë historike dhe politike që me veprimet e tij i komercializoi aspiratat tona kolektive për liri dhe shtet-formim, si dhe tjetërsoi frymën e rezistencës kombëtare në frymë tregtare, janë faktorë që paraqesin shtysën e tij kryesore politike dhe do ta përcaktojnë qëndrimin e Albin Kurtit përballë thirrjeve ndërkombëtare për marrëveshje me Serbinë.

Madje në këtë drejtim u puqën mendimet edhe me publicistin Veton Surroi, i cili kohë më parë u emërua si këshilltar i kryeministrit për dialog, pavarësisht faktit se vite më herët nuk e kanë pasur një afërsi të tillë shpirtërore, politike dhe mendore ndërmjet vete. Janë të njohura skenat, kur Albin Kurti, në stilin e një tribuni popullor me altoparlant në dorë, ia zhdrivillonte ëndrrat publikisht Vetonit, duke e akuzuar këtë të fundit, se e vetmja gjë që ëndërron, janë pallatet e Beogradit. Por, me kalimin e kohës i relaksuan tensionet dhe armiqësitë, sepse siç pat deklaruar Vetoni në një interviste televizive, ai takohet shpesh me Albinin dhe shumicën e kohës flasin për tema intelektuale dhe libra. Pra pas një çnderimit që i kishin bërë njëri-tjetrit publikisht, më fund e shpallën dashurinë “platonike” për shkak të vlerësimit të përbashkët që kanë për historinë. Sepse edhe Vetoni, ka kohë që mbron opinionin se në dallim nga të gjithë liderët e Kosovës që nga viti 1945 e këndej, që u angazhuan herë më shumë e herë me pak se si ta kufizojnë pushtetin e Serbisë në Kosovë, Hashim Thaçi, sipas tij, në dialogun e Brukselit e ka cenuar këtë parim strategjik kombëtar duke i krijuar kushte pushtetit të Beogradit për akomodim në territorin e Kosovës.

Ndërkohë, jo shumë kohë më parë, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, duke mbrojtur politikat segreguese energjetike që i privilegjojnë serbët e veriut, deklaroi se këtë veprim po e bëjnë për të mbrojtur sovranitetin e vendit nga planet e errëta dhe konspiracionste për ndarje territoriale që i ka promovuar ish-presidenti i vendit. Madje ajo pohoi se shumë diplomatë perëndimorë kanë trokitur në derën e Vetëvendosjes duke kërkuar që ta mbështesim atë projekt, sepse si i tillë krijon paqe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve dhe stabilitet afatgjatë në rajon. Mirëpo, qeveria aktuale nuk ka rënë pre e këtij karremi. Prandaj edhe mos shtrenjtimi i tarifave energjetike në atë pjesë të Kosovës dhe pagesa që jemi duke bërë për banorët e kësaj zone janë të lidhura me politikat shtetërore për mbrojtje të integritetit territorial. Pra me një fjalë, tash ne me buxhet po i paguajmë dëmet politike dhe kombëtare të ish-presidentit.

Kjo apologji ka gjasa që të sforcohet gjatë muajve në vijim si pjesë e amplifikimeve retorike të qeverisë për të arsyetuar involvimin e kryeministrit në procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja. Dhe në vend të Asociacionit, argumenti kryesor për marrëveshje mund të jetë teza se si Albin Kurti ia doli që ta ruajë Kosovën. Po ashtu planet e errëta dhe djallëzore të Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit, të përkrahura edhe nga disa liderë rajonal, që u orkestruan me thika dhe piruna mbi hartën e Kosovës, përfunduan një herë e përgjithmonë. Mori fund makthi i gjatë kolektiv i shtetit të Kosovës. E detyruam Serbinë ta pranojë komplet integritetin territorial të shtetit tonë. Dhe nga këtu fillon historia e vërtetë e shtetit të Kosovës, Republika e tretë, themelet e së cilës u hodhën me referendumin e mbajtur me 14 shkurt të vitit 2021. Sepse, siç dihet, “republika e parë ishte për rezistencë, e dyta për shitje dhe e treta për zhvillim”.

Kuptohet, kjo betejë për interpretime mund t’i agravojë tensionet e brendshme politike dhe ta dëmtojë konsensusin e brendshëm politik, një kusht ky i domosdoshëm për një marrëveshje finale me Serbinë, nëse PDK-ja nuk e pranon këtë lloj të revizionizmit të historisë. Pra ka gjasa që ky proces i pajtimit me Serbinë të kalojë nëpërmjet çarjeve ekstreme të brendshme politike, ideologjike dhe historike, se kush është më meritori për sigurimin përfundimtar të shtetësisë nga projeksionet hegjemonike të Beogradit.
Por se si mund të sillet ajo këtë nuk mund ta themi me siguri. Se a do ta pranojë ky formacion politik kokulur këtë narracion apo do të mobilizohet për ta kundërshtuar atë më te gjitha mënyrat, mbetet të shihet. Mirëpo, në këtë ndërmarrje kryeministri i vendit mund ta ketë edhe një aleat shumë të rëndësishëm; mbështetjen e bashkësinë ndërkombëtare për të ushtruar presion mbi atë parti për t’i disiplinuar sjelljet e saj. Sepse në fund te fundit atyre iu konvenon vetëm nënshkrimi i marrëveshjes dhe pajtimi i të gjithë faktorëve të brendshëm politikë për përmbajtjen e saj e jo anomzitetet e brendshme “parake” politike dhe historike. Prandaj, ajo ka gjasa që ta kapërdijë këtë sallatë propagandistike që është në funksion të narracionit historik dhe ideologjik të kryeministrit.

Rrjedhimisht, marrëveshja eventuale me Serbinë ka gjasa të përkrahet nga pushteti vetëm nëse e kalon testin e këtij justifikimi dhe narracioni të brendshëm historik. Pranimi publik dhe institucional i këtij interpretimi është më i rëndësishëm për kryeministrin se sa çdo gjë tjetër. Fundja, siç ka thënë, Freidrich Nietzche, gjithçka është interpretim. Dhe sidomos, politika. Askund nuk zhvillohet beteja për lavdi historike nëpërmjet interesimit më shumë se sa në këtë sferë.

***
Mirëpo, pajtimi me këto supozime, deshëm apo s’deshëm ne, do të kishte edhe implikime tjera politike. Sidomos ai me statusin e Gjykatës Speciale. Dhe këtu nuk e kam fjalën për statutin e saj juridik, por më shumë për mënyrën se si do të vlerësohet puna e saj në këtë moment delikat historik. Me këtë rast pranimi i opinioneve të sipërcekura pashmangshëm se do të nënkuptonte afirmimin e vlerësimit për këtë institucion supra-juridik, si një e keqe e domosdoshme, por që duke e hetuar të kaluarën e shpëtoi të ardhmen. Dhe masivizimi i kësaj qasjeje është interes i jo pak faktorëve të brendshëm edhe të jashtëm. Prandaj, çdo konsensus mbi këto parametra do të shndërrohej në burim të një amnezie të vërtetë historike.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!