×
Opinione

Si duhet të trajtohet Putini i poshtëruar?

Reporteri
24 Shtator 2022 | 22:30
Presidenti rus, Vladimir Putin

Autor: David Brooks, NYT


Bota u transferua këtë javë. Vladimir Putin tregoi se e di sa thellë i plagosur është. Ai e di se sundimi i tij do të përballet me një kërcënim ekzistencial nëse Rusia “poshtërohet” plotësisht në Ukrainë. Ai po ashtu i tregoi botës se strategjia e tij në këtë kontekst është eskalimi. Sipas tij, mënyra më e mirë për të mbijetuar është ta paraqesë luftën në Ukrainë si një luftë kundrejt Perëndimit.

Putini është si një tigër i plagosur, i dëshpëruar, që duke e ditur se forcat e tij po dobësohen, vendos të sulmojë. Këtë javë, mësova pak më tepër se si zyrtarët amerikanë po e shohin këtë situatë.

Plagët e Putinit tashmë po vërehen qartazi. Zyrtarët e Inteligjencës Amerikane nuk e parashohin që ushtria ruse në Ukrainë thjesht të kolapsojë; megjithatë, besojnë se forcave ruse po u mbarojnë fuqitë dhe po goditen keq.

Thuhet se diku 80 mijë deri 110 mijë trupa ruse janë vrarë ose lënduar në shtatë muajt e fundit. Rusia ka humbur 50 përqind të tankeve ushtarake paramilitare; 20 deri 30 përqind të mjeteve luftarake të këmbësorisë dhe një të dhjetën e avionëve të saj luftarakë. Rusët kanë shpenzuar gjithashtu sasi të mëdha municionesh. Edhe morali u ka rënë tërësisht. Gjatë javëve të fundit, shumica e forcave ruse kanë qenë në mbrojtje, ose të tërhequr prapa.

Megjithatë, kjo situatë e tmerrshme nuk ka bërë që Putini të përulet, por të guxojë më tepër. Në fjalimin e tij përballë rusëve këtë javë, ai e paraqiti sulmin në Ukrainë si masë mbrojtëse ndaj forcave të Perëndimit që, sipas tij, po duan ta përçajnë e ta shkatërrojnë Rusinë. Ai e konsideron Krimenë pjesë të shtetit të vet dhe të njëjtën dëshiron ta bëjë edhe me regjionin lindor të Ukrainës. Putini pastaj do t’i konsiderojë sulmet në këto regjione si sulme ndaj shtetit rus, sidomos nëse bëhen nga ana e forcave ukrainase me ndihmën e SHBA’ve. Pjesa më kryesore e fjalimit të tij ishte kjo: “Në rast të kërcënimit të integritetit territorial të shtetit tonë dhe me qëllim të mbrojtjes së Rusisë dhe njerëzve tanë, ne do t’i përdorim të gjitha sistemet e armëve që kemi”.

Putini është si një tigër i plagosur, i dëshpëruar, që duke e ditur se forcat e tij po dobësohen, vendos të sulmojë.

Zyrtarët amerikanë tashmë po përgatiten për të gjitha mënyrat se si Putini mund të eskalojë në luftë, nëse vazhdon të pretendojë se Rusia është ajo që po sulmohet nga të tjerët. Putini mund të hedhë raketa mbi instalimet amerikane në Poloni dhe në vende tjera të Evropës; të kalojë edhe në hapësirë duke prishur satelitë; të lansojë ndonjë sulm me raketa ndaj aleatëve të NATOs. Madje mund edhe të përdorë armë bërthamore në ndonjë qytet të Ukrainës, në njësi ushtarake ukrainase apo thjesht në ambient të hapur për të treguar se sa serioz është.

Qëllimi i tij do të ishte ta frikësonte Perëndimin që të ndërpresë çdo mbështetje për Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë nuk janë të sigurt akoma nëse Putini do të përdorë armë bërthamore, mirëpo po e konsiderojnë si mundësi që pritet të ndodh. Gjatë bisedimeve me rusët, ata po përpiqen të paralajmërojnë se çdo rast i përdorimit të armëve bërthamore do ta ndryshonte botën totalisht. Zyrtarët amerikanë nuk po tregojnë se cilat janë planet e tyre emergjente nëse një gjë e tillë ndodh, por nënkuptojnë se janë të rënda.

Presidenti Vladimir Putin i adresohet popullit rus, kërkon mobilizim të pjesshëm

Në përgjithësi, strategjia e SHBA’ve është ta ndihmojnë Ukrainën që ta mposhtë Rusinë, por dalëngadalë. Ideja është që të bëhen disa goditje të lehta të njëpasnjëshme. Zyrtarët amerikanë nuk duan të vetëpërmbahen – domethënë të frikësohen nga kërcënimet e Putinit. Në anën tjetër, ata nuk duan ta shtyejnë Putinin të bëjë ndonjë veprim të pamenduar mirë. Nuk iu konvenon një situatë në të cilën një Putin i dëshpëruar vendos të tërheqë gjithë botën rreth tij. Ata po përpiqen ta kontrollojnë ritmin e luftës në mënyrë që Rusia të largohet gradualisht nga Ukraina.

Ta kontrollosh ritmin e një lufte tingëllon vërtetë e vështirë, megjithatë edhe moti do të ndihmojë. Nga fundi i tetorit dhe nëntorit, Ukraina kthehet në baltë (si pasojë e reshjeve) që e bën të vështirë nisjen e operacione sulmuese. Me kalimin e kohës, dhe ndoshta vitin e ardhshëm, ukrainasit gradualisht mund të përfitojnë nga avantazhet e tyre: ata po luftojnë për ta mbrojtur atdheun, kanë një strukturë komanduese fleksibile dhe të decentralizuar, mbrojtja e tyre ajrore kryesisht i ka penguar rusët të kryejnë operacione të kombinuara ajrore dhe tokësore, si dhe kanë inteligjencë shumë më të mirë, falë ndihmës së Perëndimit.

Perëndimi do të vazhdojë ta furnizojë Ukrainën me armë, ndoshta edhe duke përfshirë tanke dhe avionë luftarakë të avancuar. Këto sisteme me sa duket janë në tryezë diskutimi.

As fluksi i deri 300,000 trupave të reja ruse me gjasë nuk do të ndryshojë momentumin bazë të luftës. Ata do të jenë të trajnuar dhe të koordinuar keq, dhe është e vështirë të shihet se si morali i rekrutëve do të ishte më i mirë se morali i trupave tashmë të bllokuara atje. Nuk mund ta përmirësosh një luftë të kotë duke e zgjeruar atë.

Nuk mund ta përmirësosh një luftë të kotë duke e zgjeruar atë.

Shpresa e parë e SHBA’ve është që Putini përfundimisht do të bëjë një analizë kosto-përfitim dhe do të arrijë në përfundimin se opsioni i tij më i mirë është të negociojë. E dyta është se ukrainasit do të bëjnë gjithashtu të njëjtën analizë. Ata do ta kuptojnë se, edhe pse aktualisht po e fitojnë luftën, është pothuajse e pamundur që fizikisht t’i largojnë trupat ruse të pozicionuara në Ukrainën lindore, kështu që edhe ata do të vendosin të negociojnë.

E nëse kjo ndodh, do të arrihet një zgjidhje territoriale dhe rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla globale, do të rivendoset.

Qytetarët rusë tentojnë t’i shpëtojnë mobilizimit, ia mësyjnë shteteve fqinje me autobusë

Mendimi im përfundimtar është se pjesa më e madhe e Perëndimit e injorojnë atë çka vetë ukrainasit duan. Ata po fitojnë, janë pasionantë dhe të mbushur me inat, dhe duket se po kërkojnë njëfarë lloj fitoreje maksimaliste të cilën e ndjejnë se janë të aftë ta arrijnë – përfshirë rimarrjen e Krimesë. Pse duhet heronjtë e këtij konflikti të ndahen të kënaqur me një qasje të vakët e një fitore të pjesshme, dhe çka nëse nuk përfundon kështu?

Përpjekjet e ukrainasve kanë treguar se demokracia liberale dhe dinjiteti njerëzor janë arsye për të cilat njerëzit janë ende të gatshëm të luftojnë dhe të vdesin. Ata po tregojnë se këto ide kanë fuqi të madhe. Fatkeqësisht, tiranët ndonjëherë janë akoma më të rrezikshëm kur humbasin.

Përktheu në shqip: Gazeta Online Reporteri.net

*Titulli orgjinal: How Do You Handle a Wounded Putin? (Si duhet të trajtohet një Putin i plagosur?)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!