×
Opinione

Si po përgatitet Rusia për zgjedhjet amerikane

Reporteri
04 Gusht 2019 | 21:19

Autor: Janusz Bugajski


Provat që Moska po përgatitet për një ndërhyrje masive në fushatën e zgjedhjeve presidenciale për vitin 2020 në SHBA po shtohen. Nuk dihet se cili nga kandidatët do të favorizohet nga Moska, në fund, por qëllimi kryesor do të jetë nxitja e përçarjeve në shoqërinë amerikane si dhe e mosbesimit në procesin demokratik.


Që nga zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, Kremlini ka zhvilluar metoda të reja dhe ka përcaktuar shtigje të reja për arritjen e qëllimeve të tij. Do të përqendrohet në të paktën katër mundësi ndërhyrje: dezinformim thellësisht të rremë, rekrutimin e personave me ndikim, hackimin e listave zgjedhore dhe manipulimin e rezultateve zgjedhore.

Përpos teorive konspirative mashtruese të zakonshme që agjentët rusë përhapin në rrjetet sociale, ata tashmë kanë akses në programe thellësisht falsifikuese. Kjo teknologji mundëson shpërndarjen në internet të videove false ose të modifikuara, të cilat duken çuditërisht reale. Përdorimi i këtij mjeti në një shkallë të lartë do t’i mundësojë propagandistëve dhe troll-eve të krijojnë realitete të reja për votuesit dhe t’i bindin ata se sajimet janë realitet.

Dezinformimi thellësisht i rremë vizual dhe dëgjimor do të mundësojë një nivel të ri të manipulimit të mendjes dhe do të forcojë paragjykimet ekzistuese. Do të jetë e vështirë të bindësh disa konsumatorë që videoja është e sajuar, nëse besimi tek qeveria apo media tradicionale është i paktë. Dhe falsifikimet e thella do të funksionojnë, gjithashtu, anasjelltas, ku videove autentike mund t’i vihet pikëpyetje, nëse janë të rreme, në mënyrë që burimi i tyre të diskretitohet. Teknologjia do të shërbejë për ndarjen dhe polarizimin e mëtejshëm të votuesve si dhe rritjen e mosbesimit të tyre ndaj politikanëve dhe gazetarëve.

Një mënyrë e dytë efektive për të pushtuar zgjedhjet në SHBA është rekrutimi i një ushtrie personash me ndikim, që e kuptojnë audiencën amerikane dhe e dinë se ku mund të penetrojë më së miri dezinformimi dhe agjitacioni. Këta aktivistë të rrjeteve sociale mund të binden ose paguhen për të siguruar informacion mbi audiencat dhe kanalet, për të specifikuar çfarë mesazhesh dëgjohen nga shtetasit dhe për të përdorur kontaktet e tyre të gjera për përhapjen e dezinformimit në bazë ditore.

Një virus njerëzor, që përhapet, në shërbim të inteligjencës ruse mund të depërtojë në shtresa të ndryshme të shoqërisë amerikane. Ndonëse Facebook ka mbyllur mbi dy miliardë llogari të rreme në dy vitet e fundit, numri i instrumenteve mediatikë të rreme vazhdon të rritet. Kjo tregon se shërbimet e Kremlinit përshtaten shpejt, duke përdorur njerëz të vërtetë, në vend të llogarive të rreme për të përhapur dezinformimin.

Distributorët e komploteve të rreme mund të shfrytëzojnë tensionet midis grupeve të ndryshme për të krijuar kaos gjatë fushatës zgjedhore. Kjo përfshin thellimin e përçarjeve midis Demokratëve dhe Republikanëve, liberalëve dhe konservatorëve, brezave të rinj dhe të vjetër, zonave urbane dhe rurale, si dhe klasat me të ardhura më të larta me ata me të ardhura më të ulëta. Dezinformimi, gjithashtu, mund të krijojë konflikte midis shumicës dhe pakicave të ndryshme fetare, etnike dhe seksuale.

Një perspektivë e tretë, e gjithnjë e më shqetësuese, në fushatën e re zgjedhore është hackimi i listave të votimit. Një raport i sapo dalë i Senatit të SHBA arrin në përfundimin se shërbimet e inteligjencës ruse hackuan infrastrukturën zgjedhore amerikane, në vitin 2016 dhe vazhdojnë të punojnë mbi rrjetin teksa fushata e vitit 2020 është duke filluar. Oficerë ushtarakë rusë po studiojnë sistemet e decentralizuara të zgjedhjeve për të përcaktuar lidhjet më të dobëta, në përgatitje për një sulm të mundshëm të madh përpara nëntorit të 2020-s. Kjo mund të përfshijë fshirjen ose skualifikimin e votuesve të zgjedhur, në mënyrë që të ndikohet një rezultat vendor.

Raporti i Senatit arrin në përfundimin se hackerat e GRU (Inteligjenca Ushtarake Ruse) ndërmorën misione zbulimi kibernetike në të pesëdhjetë shtetet (amerikane). Edhe pse hetuesit nuk gjetën prova që dosjet e regjistrimit të votuesve të ishin modifikuar, duket e mundshme se agjentët e Moskës po përgatiteshin për një operacion të ardhshëm. Aktorët kibernetikë rusë ishin në një pozitë të tillë që të mundnin të ndryshonin të dhënat e votuesve në një databazë në Illinois si dhe në disa zona në Florida.

Një dobësi e katërt në lidhje me zgjedhjet në SHBA është mundësia e manipulimit të rezultatit, sipas së cilës, përfundimet e votimeve ndryshohen dhe rezultati falsifikohet. Një hacker i sofistikuar, mund të synojë rajone specifike, ku diferencat midis kandidatëve janë të vogla, siç ishte rasti në disa shtete në vitin 2016. Edhe skualifikimi i një përqindje të vogël të votuesve mund të ketë një ndikim të madh në rezultatet e zgjedhjeve.

Ngacmimi i numrit të votave, veçanërisht nëse është bërë publik, gjithashtu, mund të delegjitimojë zgjedhjet në sytë e shumë votuesve. Dhe nëse humbet besimi në sistemin zgjedhor, atëherë besueshmëria e të gjithë sistemit demokratik vihet në pikëpyetje dhe demagogët e populistët do të përfitojnë.

FBI dhe agjencitë e tjera kanë filluar një përpjekje kundërzbulimi për të penguar operacionet e ndikimit të Rusisë dhe sulmet kibernetike në zgjedhjet e vitit 2020. Agjentët e FBI po hetojnë nëse ndonjë qytetar amerikan po asiston në mënyrë aktive sulmin rus, qoftë përmes stimujve financiarë, qoftë nëpërmjet komprometimit dhe shantazhimit nga shërbimet ruse. Ndërsa sulmi i Moskës intensifikohet, mbrojtja amerikane do të testohet seriozisht.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!