Pse i kam kcye n’qafë Albinit?

Autor: Driton Smakaj 


 

Nëse Albini deklarohet publikisht që nuk u ka dhënë instruksione konkrete militantëve për pikat si më poshtë, edhe u bën thirrje të heqin dorë nga këto veprime… Atëherë që ku po zotohem këtu publikisht që unë do të bëhem anëtar i VV-së. Natyrisht nëse Albini pranon.


– Militantët e VV-së të organizuar me mijëra prej tyre në rrjet, ofendojnë, nënçmojnë e linçojnë këdo që kritikon Albinin. Me theks të veçantë veç për Albinin.

– Grupet e hapura në facebook për mbrojtjen e Albinit kanë administratorët që janë të përgatitur enkas për të censuruar çdo mendim apo kritikë që vie në drejtim të Albinit. Asnjë status nuk aprovohet nga adminët, nëse nuk e madhëron Albinin.

– Çdo autor që shkruan ndonjë kritikë të detajuar me plot argumente, militantët e kanë me udhëzime nga lartë që ai autor të denigrohet e linçohet si mbështetës i hajnave dhe krimit

– Rivalët politikë, të gjithë quhen hajna, kriminel e tradhtarë. U montohen foto nga më të gërrditshmet

– Të gjithë rivalët sulmohen si budallenj, të trash e të pa ditur, që nuk dinë as të lexojnë e vetëm Albini është më i mençuri i shqiptarisë

– Nuk kursehen me sulme të ulta edhe ambasadorët e huaj, duke shkelur mbi traditën tonë të mikpritjes së mikut

– Raportimi në masë tek adminët e facebookut çdo status që kritikon Albinin, me qëllim të censurimit dhe modelimit të opinionit publik

– Kulmi i paranojës në këtë teatër të stilit orvellian, ishte thirrja për të mos e dëgjuar intervisten me Richard Grenell

Personalisht kam pritur që Albini do të vazhdojë qeverisjen të paktën 4 vite. Në mes të krizes me coronavirus, pa asnjë fije përgjegjësie shkarkoi një Ministër të partnerit të koalicionit pa paralajmërim, për një deklaratë budallicë. Ndërsa nuk e shkarkoi Ministrin e partisë së tij që bëri një deklaratë budallicë në katror.

Pra, brenda pak ditësh mori vendime të stilit të Kimit dhe arriti t’i bind gjithë militantët e vet që përgjegjësia për rënien e Qeverisë është te LDK-ja që bëri mocionin e jo te Albini që bëri shkarkimin.

Në Parlament bëri dramë, u mor më shumë me Presidentin, se sa me mos-marrëveshjen me LDK-në.

Pa pikë respekti, nxori në Parlament bisedat që ai kishte me Presidentin me dyer të mbyllura, duke shkelur komplet një etikë bazë, që është e pranueshme botërisht në politikë për biseda diskrete. Na bëri dramë pa asnjë argument se gjoja qenka një marrëveshje sekrete e gatshme, veç me ia qitë nënshkrimin, e që ajo marrëveshje e ndanë Kosovën (duke mos dhënë asnjë të dhënë se ku ndahet Kosova, në cilën pjesë, mbi tokë apo nën-tokë) duke tentuar kështu të na bind që SHBA-ja tash qenka bërë anti-Kosovë se don me i falë tokat tona Serbisë. Edhe pas deklarimit të SHBA-së që nuk ekziston një marrëveshje e tillë, nuk mori mundin të bëj një kërkimfalje para publikut të Kosovës për dramën e shkaktuar mbi bazën e supozimeve të tij konspiracioniste.

Albin i dashur,

Me veprimet tuaja më ngjani sikur në një të kaluar të largët, ju keni qenë mësuesi i Makiavelit, e jo në të tashmën si lexues i tij.

Jeni njeri që lexoni shumë padyshim, por keni mbetur tek autorët klasik. Ju sigurisht keni lexuar Niçen dhe jeni entuziazmuar me filozofinë e tij të mbinjeriut. Kështu dukeni në vepër. Qofsha i gabuar. Por, ju i bëni thirrje Dautit që të mos mburret për luftën që ai bëri për Kosovën, për faktin që për vend të vet ka luftu, ndërsa ju nuk lëni asnjë fushë të jetës në Kosovë që nuk tentoni të merrni kredit si shpëtimtar i Kosovës.

Edhe e dini pse e bëni ju këtë? Sepse ju ndjeheni thellë në shpirt si MBINJERIU i Niçes.

Ju besoni thellë që të tjerët janë njerëz që duhet të urdhërohen e të kontrollohen në qënie e në mendim, ndërsa ju jeni mbi njerëzit dhe shpëtimtari i tyre. Andaj, kur njerëzit më të afërt tuaj u ndanë nga ju, dolët publikisht dhe i quajtët ata të pa mençur. Sa ishin me ty, ata ishin të mençur. Si u ndanë, ata janë tashmë të pa mençur.

E dini pse? Sepse ju besoni thellë që jeni MBINJERIU.

I dashur Albin,

Ju mund ta pëlqeni Niçen, por të jesh o bindur që me Niçen janë frymëzuar Hitleri dhe Musolini. Vet motra e Niçes ka qenë pjesë e grupit SS të Hitlerit.

Ju nuk e lexoni iluministin më të madh të kohës së sotme Stiven Pinker, i cili e çmonton Niçen, e çmonton mbinjeriun e Niçes dhe e çmonton Niçen si të tillë me efektet negative që kishte filozofia e tij në shoqërinë botërore.

Ju mund të jeni i bindur që keni lexuar filozofët më të mëdhenj të kohës së kaluar, por nuk shoh asnjëherë ndonjë citim nga ju, nga filozofi më i madh i kohës së sotme Daniel Denett, i cili e fragmenton në copëza të vogla idenë, mendimin, dëshirën, pamjen e fotografisë, ëndrrën, ndjenjen për atë që sheh, emocionin për atë që shfaqet, besimin dhe mos-besimin, egon dhe marrëzinë, qëllimin dhe dështimin, rënien dhe ngritjen, lotin dhe buzëqeshjen.

I dashur Albin,

Ju edhe mund t’i bindni masat shqiptare që jeni më i dituri, e jam bindur që tashmë militantët tuaj të shohin si mbinjeriu, por të jesh i bindur që dituria është një oqean i pafund. Me oratorinë tënde ju dukeni më i mençuri i Ballkanit, por në sëcilin vend të Europës Perëndimore, me qasjen tuaj politike do të arrinit të mblidhnit jo më shumë se 1% të votuesve.

Ta them këtë me përgjegjësi të plotë, sepse jam i bindur që ju kurrë në jetën tuaj nuk keni parë ndonjë projekt kompleks, ku përfshihen mijëra elemente për të nxjerrur një përbërje në sipërfaqe. Jam i bindur që nuk keni parë, e as studjuar kurrë në jetë se si duket një plan kompleks për modelimin dhe zhvillimin e një grupi shoqëror, ku përfshihen të gjitha aspektet e një shoqërie të lirë; fjala e lirë, media e lirë, shkenca, idetë, rivalët politik, kritika, kultura, leximi, filmi, përplasja, protestat, dhuna, çirrja, sharja, e drejta për të jetuar apo për të vdekur…e çdo element apo grimcë e vockël e një shoqërie demokratike.
Të paktën nuk duken këto gjana në horizontin tënd. Çka shoh nga militantët tuaj, arrij të kuptoj që ju prisni të bëheni MBINJERIU i Niçes dhe si plan keni teknikat e Orwellit të kontrollit të mendimit të masave.

I dashur Albin,

Ma thuaj të lutëm ç’të duhet kjo qasje sot? Pse qenka kritika ndaj teje e papranueshme? Ç’të duhen teknikat e censurimit të mendimit? Pse qenka e domosdoshme rënia e juaj (jo e Qeverisë tuaj) për ngritjen e nevojshme?

Ma thuaj të lutëm pse duhet të ngriteni me metoda Orwelliane?

Pse të duhet roli i Mbretit i kamufluar në demokraci?

Ma thuaj pse jeni kaq i bindur që vetëm ju jeni shpëtimtari ynë? Pse duhet të jenë të mençur vetëm ata që bashkohen me ty? Ndërsa të tjerët duhet të thirren si budallenj nga militantët tuaj dhe nga vet ju?

A do të quhen edhe të tjerët që do dalin nga partia juaj, të pa mençur? Apo budallenj? A do e përdorni sëcilin intelektual që hyn në partinë tënde si një instrument për popullaritetin tuaj dhe sapo nuk pajtohet me ju, do e hidhni në shportë si një leckë?

I dashur Albin,

Nëse publikisht deklaroheni që jeni kundër këtyre gjërave që shkruajta më lartë dhe zotoheni që do të ndërtoni një shoqëri të lirë dhe demokratike në Kosovë, pa censurë të mendimit brenda vet VV-së, atëherë zotohem publikisht që do të bashkohem me VV-në si anëtar i saj për të kontribuar për të mirën tonë të përbashkët. E duhet edhe të pajtoheni që publikisht do i them ato që mendoj se nuk keni të drejtë. Ose keni të drejtë, por ndaj mendim tjetër.

Përndryshe, qasja nuk je me mua, je me hajnat është qasje tepër e ultë për njerëzit e lirë të kësaj bote.

P.S.

Veç desha të sqarohem me miqtë e mi që e dojnë shumë Albinin. Se nuk kam kurfarë preference politike aktualisht edhe se do të isha i gatshëm t’i bashkohem VV-së, nëse nuk mbretëron aty mbinjeriu i Niçes dhe metodat Orwelliane dhe makiaveliste si mjet për realizim qëllimesh.

Kosova ka nevojë për NDRYSHIME, por absolutisht Kosova nuk ka nevojë aspak për MBINJERIUN e Niçes.