×
Opinione / Kolumnë

Teatri i “kukullave” të Vetëvendosjes

Autor:Gent Mehmeti
03 Mars 2024 | 11:01

Adriana Matoshi ka fituar çmime ndërkombëtare për lojën e saj si aktore, duke i krenuar të gjithë. Ama, hyrja në politikë e ka kthyer në aktore të dobët. Madje, duke e kthyer në “kukull” teatri.

Teatri i kukullave është formë e manipulimit të kukullave për t’i shfrytëzuar në shfaqje teatrale. Kukulla është figurë – njeri, kafshë ose abstrakte në formë. Lëviz nga një tjetër njeri dhe jo me ndihmë mekanike.

Shfaqjet me kukulla besohet se kanë ekzistuar pothuajse në të gjitha civilizimet. Në të gjitha periudhat. Në Evropë, të dhënat e shkruara tregojnë për kukullat që në shekullin e pestë para Krishtit.

Mund të thuhet se teatri i kukullave i ka paraprirë dramës së shkruar dhe në fakt, çfarëdo lloj shkrimi. Përfaqëson formën më primitive të instinkteve të racës njerëzore.

Është njëra prej formave më të vështira të realizimit të teatrit për shkak se shprehja teatrore realizohet nëpërmjet lëvizjeve të kukullave. Kjo lëvizje e kukullave në teatrin klasik të kukullave bëhet prej aktorëve.

Ata që kanë shkelur nëpër dërrasat e teatrove thonë se teatri i kukullave shpesh është formë e ndërlikuar e artit dramatik. Pretendohet se teatri i kukullave është forma më e lashtë e teatrit dhe origjina e vetë dramës.

Kjo formë e tillë e “artit” është realizuar gjatë javës që shkoi edhe në Kuvendin e Kosovës, i cili në vitet e fundit është shndërruar në njëfarë teatri politik. Është luajtur fiks nga një aktore: Adriana Matoshi.

Dy mënyra kryesore të dirigjimit të kukullave janë marioneta apo nëpërmjet shkopinjve. Aktrimi e marioneta bëhet nga një aktor që qëndron lart dhe lëviz gjymtyrët kryesore, por në të shumtën e rasteve dhe gojën. Krejt lëvizjet bëhen me penj apo me litar. Në rastin e të enjtes, më 29 shkurt, aktorja Matoshi qe ndërruar në kukull dhe aktorja nga lart ishte Dejona Mihali.

Ata që jetojnë me teatër thonë se aktori që dirigjon nga lart dhe lëvizja e kukullave është një lloj përfaqësimi i idesë së aktorit, por që shfaqen zakonisht nëpërmjet karaktereve, të cilat janë karaktere jo reale që bëhen nga njerëzit, por edhe nga kafshët. Kukulla është krejtësisht subjekt i pashpirt përderisa nuk fillon lëvizja e penjve nga personi lart.

Koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen “Vetëvendosje”!, Dejona Mihali si me marionetë “shtynte” deputeten e partisë së saj, aktoren Adriana Matoshi që të sulmonte verbalisht drejtorin e “Periskopit”, Ilir Mirenën në rrjetet sociale.

“Ish-zëvendësministri i PDK-së, njohësi i thellë i fushës së shpronësimeve në Hade, tash pronar i “Periskopi”, ka kohë që në mënyrën më të ultë merret me mua. E kuptoj që është në opozitë dhe fondet nuk i ka më siç i kishte, por e inkurajoj për durim e vetëpërmbajtje. I bën mirë edhe për shëndetin”, thuhej në mesazhin që Mihali ia kishte shkruar aktores.

Deputetja Matoshi kishte qeshur me këtë mesazh, para se ta pyeste Mihalin nëse dëshironte ta postonte në rrjetin e saj social. Mihali, me ngurtësi ia kishte kthyer shkurt: “Më vonë”.

Gjatë po të njëjtës seancë, Matoshi pati përplasje me deputetin e LDK-së, Driton Selmanajn.

“Partia nga vjen ka përgjegjësi për gjithë ngecjet që kanë ndodhur në shëndetësi. Çka keni ditë me bë ju LDK”, bënte me gisht Matoshi kah grupi parlamentar i LDK-së teksa lexonte, “dhe ju PDK” ktheu kokën ajo në anën e majtë të Kuvendit, “na e kemi provuar në trupat tanë, të fëmijëve tanë. Nuk e di qysh keni kurajë me fol bash qeshtu qysh po folni. A e dini sa mijëra familje kanë vujt keqpërdorimet e juve. Është fakt. Është fakt. Nuk keni ndjeshmëri edhe nuk e di a keni më njerëzillëk”, lexonte Matoshi në telefonin e saj.

Orë më vonë pasi mori vëmendjen e mediave komunikimi me zyrtaren Mihali, deputetja Matoshi e ka postuar në Facebook mesazhin e dirigjuar nga Mihali.

Deputeti i LDK-së, Selmanaj i bëri kundër replikë, duke e pranuar se deputetët mund të shkruajnë fjalimet më herët, por çuditej se si ishte e mundur që edhe replika të shkruhej aty për aty.

“Replika dhe kundër replika janë të nxitura aty për aty. Kush ia shkroi këto që i lexoi. Kjo [Matoshi] flet me porosi”, kishte thënë deputeti Selmanaj teksa qeshte me zë.

Mirëpo marionetat e Mihalit janë shumë të gjata. Brenda “Vetëvendosjes” thonë se ajo urdhëron deputetët për pothuajse shumicën e vendimeve brenda grupit parlamentar. Të paktë janë ata që guxojnë t’i dalin kundër. Madje edhe në votime të fshehta brenda partisë. Ata që guxojnë, duhet të bëhen gati për pasojat.

Ndërkaq, deputeti tjetër i VV-së, Halil Thaçi ka shkuar përtej. Ai nuk ka kërkuar ndihmën e Mihalit për t’ia shkuar fjalimin në Kuvend. Ai ka kërkuar ndihmën e inteligjencës artificiale. Në një fotografi ai është kapur duke i kërkuar ndihmë ChatGPT-së për t’ia shkruar fjalimin.

***

Në historinë evropiane të teatrit, marioneta përfaqëson llojin më të avancuar të kukullave; është e aftë të imitojë pothuajse çdo gjest të njeriut apo të kafshëve. Megjithatë, në dy shekujt e fundit, ekzistonte rreziku se marioneta kishte arritur natyralizëm steril që nuk lejonte zhvillim të mëtejshëm artistik. Matoshit nuk i fle roli i deputetes dhe i pamundësohet zhvillimi i mëtejshëm “artistik”.

Mirëpo në teatrin politik të Kosovës ndodh gjithçka. Mund të bëhen bashkë brena një partie, të majtë e të djathtë.

Ndërkaq, Dejona Mihali, aktiviste e kamotshme e LVV-së, nuk ishte shumë emër i njohur për publikun, pasi nuk ka paraqitje në media dhe nuk ushtron asnjë funksion publik në Qeverinë Kurti. Por, ajo është figurë e rëndësishme në LVV, pasi që është anëtare e kryesisë.

Politika nga shumëkush konsiderohet si arti i së mundshmes. Kryeministri Albin Kurti më herët kishte thënë se politika është thjesht art. Nuk dihet nëse atëherë e ka menduar që pikërisht do të implementohet një lloj i tillë i “artit qeverisës”, me aktorë në rolin e kukullave. Por, tashmë nuk mund të mohohet se Dejona Mihali të tillë i sheh shumë nga përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.

Paralajmërimet për tendencën e tillë janë mjaft të hershme. Kohë më parë, ish-deputeti i VV-së, Haki Abazi, kishte akuzuar pikërisht Mihalin për ngufatje të zërit të deputetëve dhe demokracisë brenda grupit parlamentar të VV-së, në cilësinë e “mashës së kontrollit” për deputetët e Vetëvendosjes.

Matoshit i mbetet që të vazhdojë me rolet e saj nëpër skena teatrosh dhe filma. Nëpërmjet këtyre roleve ka përçuar mesazhe dhe ka ngritur zërin për shumë fenomene shoqërore. Ndoshta, edhe sot që është deputete e Kuvendit të Kosovës nuk mund të dalë jashtë rolit. Por, ajo për të qëndruar në rol duhet të vazhdojë atë e aktores. Jo në atë të teatrit politik të Kosovës.

Autori është gazetar dhe redaktor përgjegjës në Gazetën Online Reporteri.net

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!