Jemi në fund të tetorit, muajit që na kujton rëndësinë e kujdesit, kontrollit dhe forcës së grave.

“Hajt se mirë je, kanceri nuk dhemb”.

Kjo është ndoshta fjalia që them më shpesh çdo fundjavë, sa herë shkoj tek prindërit.

Reklamë

Tashmë po afrohemi dyvjetorit të diagnostikimit të Nënës me kancer gjiri. Ajo pati fatin e mirë të mos i nënshtrohej kimioterapisë, por imunoterapia do të vazhdojë edhe për tre vite të tjera.
Këto dy vite kanë qenë një rrugëtim me frikë, shpresë, lodhje dhe mirënjohje.

Mirënjohje për mjekët, për shkencën, për çdo kontroll që u bë në kohë, e mbi të gjitha për forcën e Nënës, që po na mëson çdo ditë çfarë do të thotë të jesh e fortë pa bërë zhurmë.

Megjithatë, në gjithë këtë rrugëtim, më është bërë e qartë sa e nevojshme është mbështetja psikologjike për njerëzit që preken nga kjo sëmundje. Në fillimet e diagnostikimit, duket sikur ke përpara një rrugë pa krye. Çdo fjalë, çdo shikim i habitshëm, ngjall frikë dhe ndjenjën e dorëzimit.

A kemi ne si shtet kuadro që merren me psikologjinë e pacientëve onkologjikë? Ndoshta po, por sa prej grave e burrave që kalojnë në këtë rrugëtim i nënshtrohen një terapie të tillë? Unë mendoj se as 10 përqindëshi.

Shteti pothuajse është pa politikë e pa protokoll të qartë në këtë fushë. Ndoshta ekziston diçka, por pak kush e di.

Reklamë

E kam përmendur me dhjetëra herë se diagnostifikimi është një “mal pa krye” – vrapime nga një laborator në tjetrin, me familjarë që mbajnë mbi supe barrën e gjithë kësaj maratone analizash, biopsish e pritjesh. Shumë nuk i njohin procedurat, disa nuk kanë forcë t’u dalin në krye, e shumë të tjerë nuk kanë dikë afër për t’i ndihmuar.

Në gjithë këtë proces, shpesh harrojmë se sa shumë trauma mbeten në mendje. Mendime që e gërryejnë edhe optimizmin më të vogël – armën më të rëndësishme për të luftuar sëmundjen. Kam parë me sytë e mi njerëz që janë dorëzuar që në momentin kur dëgjuan fjalën “kancer”. Dhe kjo ndodh sepse shteti dështoi t’u ofrojë atyre ndihmën psikologjike që u nevojitet.

Në çdo tetor i kujtojmë ata që u dorëzuan, dhe mbi të gjitha ato që mbijetuan. Por edhe ato që, pavarësisht rezultateve të mira që marrin nga laboratorët, gjithmonë kanë në mendje dyshimin: “Po sikur të jetë lexuar keq?”

Kjo frikë lind nga mungesa e besimit te sistemi shëndetësor publik, që shpesh është i ngadaltë dhe burokratik. Shumë njerëz përpiqen të gjejnë shërim më të shpejtë në laboratorët privatë – por, për fat të keq, sërish nuk po e shërojmë mendjen para se të shërojmë trupin.

Reklamë

Pas çdo here që i them Nënës: “Hajt se mirë je”, ndjej boshllëk dhe frikë. Sepse nuk janë vetëm pacientët që sëmuren – është e gjithë familja që kalon nëpër të njëjtën dhimbje.

Dhe të gjithë, pa përjashtim, kemi nevojë për shërbimin psikologjik që mungon.

Tetori Rozë është kujtesa jonë se parandalimi shpëton jetë.

Bëni kontrollin tuaj. Mos e lini për nesër.

Reklamë

Për Nënat, motrat, mikeshat – për çdo grua që lufton, çdo ditë.

Dhe përveç kontrollit fizik, mos harroni edhe kontrollin psikologjik.

Sepse shëndeti nuk fillon nga trupi – por nga mendja e qetë që beson se do ta fitojë betejën.