×
Opinione / Rrjetet sociale

Vetëlëndimi i 20 nxënësve nga sfida e TikToku-ut dhe edukimi për mediat

Autor:Faton Ismajli
17 Qershor 2024 | 12:45

Edukimi medial si lëndë obligative është zgjidhja më e mirë nga rreziku me të cilin përballen fëmijët në një shoqëri me qasje të plotë në internet. Është e pashpjegueshme heshtja e vendimmarrësve, e posaçërisht e Ministrisë së Arsimit, në një kohë kur edukimi i nxënësve për mënyrën se si t’i përdorin mediat duhet të jetë urgjencë shtetërore. Vetëlëndimi i 20 fëmijëve në Fushë Kosovë e në Lipjan, të frymëzuar nga një lojë në TikTok, është një paralajmërim se edhe në Kosovë mund të shohim skena sikur në Senatin amerikan kur prindërit mbanin në duar fotografitë e fëmijëve të vetëvrarë që ishin inspiruar nga lojërat në mediat sociale

12-vjeçari Matthew Minor ka vdekur më 2019 pasi provoi “sfidën e mbytjes”. Në TikTok, ai e shikoi dhe u frymëzua nga një video vdekjeprurëse. Babai i Matthew, Todd Minor ka deklaruar para vendimmarrësve amerikanë se djali i tij e provoi lojën dhe vdiq.

Në një mbledhje të Senatit amerikan në shkurt të këtij viti, i ati i 12-vjeçarit edhe disa prindër të tjerë kanë mbajtur fotografitë e fëmijëve të vetëvrarë, pasi ishin frymëzuar nga lojërat në mediat sociale. Në Senat po dëshmonin drejtuesit e kompanive kryesore të mediave sociale, si: Meta, TikTok, X dhe të tjerë.

BBC

“Më vjen keq për vuajtjet tuaja… ”, ju tha prindërve themeluesi i Facebook-ut.

E gjithë kjo situatë dhe këto raste po ndodhin në SHBA, në vendin ku edukimi medial është pjesë e sistemit arsimor, ndërkohë në Kosovë s’ka as debat dhe as strategji shtetërore se si ta trajtojmë mënyrën dhe as rreziqet nga përdorimi i mediave nga fëmijët.

Nuk di çka duhet të ndodhë që edhe në organet tona më të larta shtetërore e shoqërore të diskutohet dhe të merren vendime për një temë të tillë.

29 për qind nxënësve kanë llogari në TikTok

Në një punim shkencor që do të publikohet së shpejti, në bashkautorësi me profesorin Arben Fetoshi, për ndikimin dhe efektet e mediave sociale te filloristët, rezulton se 29 për qind e nxënësve të klasave të pesta kanë llogari në TikTok. Ndërkohë, shumica e 10-vjeçarëve kanë më shumë se një llogari në mediat sociale, shto këtu edhe faktin se gati 100 për qind e familjeve në Kosovë kanë qasje në internet.

Përdorimi kaq i madh i mediave dhe qasja e plotë në internet pa asnjë dyshim rrit rrezikun për pasoja, sidomos te fëmijët.

E, rasti më i freskët në Kosovë është vetëlëndimi i fëmijëve që u frymëzuan nga një lojë në TikTok. Loja shtynte fëmijët në vetëlëndim si masë për të hequr stresin.

Zyrtarja e Policisë, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar vetëlëndimin e 20 fëmijëve. Ajo ka thënë se prej tyre, 18 janë në Fushë Kosovë e 2 në Lipjan, me të cilët po merren edhe Prokuroria e Shtetit dhe Qendrat për Punë Sociale.

Natyrshëm, nuk pati një reagim të madh të institucioneve përgjegjëse, e sidomos të Ministrisë së Arsimit, e cila është përgjegjëse për të vendosur në programet e shkollave, edukimin obligativ për përdorimin e mediave nga ana e nxënësve dhe mësimdhënësve.

Derisa në vende normale, çështja e edukimit medial në shkolla është temë e përfunduar, e te ne ende duhet të shkruhet e kërkohet që një lëndë e tillë të futet në programet obligative.

Të shtohet kujdesi ndaj fëmijëve

Së fundmi në Francë ka pasur nisma për t’ua ndaluar fëmijëve me ligj qëndrimin e para ekraneve, për shkak të efekteve negative të shëndetit psiko-fizik të tyre. Institucionet e Kosovës ende s’kanë as ide, s’ka as diskutim dhe s’shihet në horizont se mund të ketë institucion që e çon përpara projektin për edukim formal të fëmijëve për përdorim të mediave sociale.

Derisa institucionet të vendosin edukimin medial si lëndë obligative në gjithë sistemin arsimor në Kosovë, prindërit duhet të monitorojnë fëmijët e tyre lidhur me përdorimin e mediave sociale e sidomos duhet t’i mbikëqyrin fëmijët lidhur me shfletimin e përmbajtjeve të dhunshme në TikTok.

Prindërit dhe mësuesit duhet t’i diskutojnë rreziqet nga përfshirja në lojëra virale të rrezikshme në mediat sociale. Prindërit duhet të përdorin kufizime për fëmijët e tyre ndaj përmbajtjeve në media sociale, e veçanërisht në TikTok.

Duhet të ketë më shumë diskutime në mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve lidhur me përmbajtjet e dhunshme dhe lojërat e rrezikshme në mediat sociale.

Përfundimisht, edukimi medial si lëndë obligative në shkolla fillore e të mesme është zgjidhja më e mirë përballë rrezikut me të cilin përballen fëmijët në një shoqëri me gati 100 për qind qasje në internet.

Vetëlëndimi i 20 fëmijëve të inspiruar nga një lojë në TikTok është një paralajmërim se edhe në Kosovë mund të shohim skena sikur në Senatin amerikan kur prindërit mbanin në duar fotografitë e fëmijëve të vetëvrarë që ishin inspiruar nga lojërat në mediat sociale, sikurse rasti i 12-vjeçarit Matthew Minor.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Projekti implementimet në partneritet me mediumin “Front Online”. Autori është profesor në Departamentin e Gazetarisë, Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet, apo rekomandimet e shprehura këtu, janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit. Reporteri.net mban të rezervuar çdo të drejtë për rishpërndarjen e këtij artikulli.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme
Opinione

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!