×
Opinione

Vuçiq dhe Fantazmat e së Shkuarës: Paralele të Historisë së Luftës së Kroacisë me Operacionin e dështuar në veri të Kosovës

Autor:Adri Nurellari
25 Shtator 2023 | 12:23

Operacioni i dështuar terrorist në veri, gjetja e një sasie të madhe armatimi dhe deklaratat e djeshme të presidentit serb Vuçiq të japin përshtypjen për ringjalljen e skenarit të ashtuquajturit “Revolucion të Trungjeve” (‘balvan revolucija’) në Kroacinë e vitit 1990.

Mori këtë emër për faktin se serbët e Kroacisë, në zonat ku ishin shumicë, sidomos në Krajinë, bllokuan rrugët me trungje druri për të demonstruar kundërshtinë e tyre ndaj politikave të qeverisë së Kroacisë, e cila asokohe po shkonte drejt pavarësisë. Revolucioni i trungjeve çoi fillimisht në themelimin e një rajoni të vetëshpallur autonom të njohur si Rajoni Autonom Serb i Krajnës (SAO Krajina), i cili më pas u shndërrua në shtet të vetëshpallur dhe në detonator për luftën e Kroacisë. Gjyqet e Hagës vërtetuan pa dyshim se ky “revolucion” ishte i orkestruar nga Beogradi dhe nuk ishte revoltë spontane e serbëve lokalë të Kroacisë.

Deklarata e Vuçiqit që insistonte ta shiste operacionin e djeshëm si një aksion të serbëve të Kosovës dhe jo të Beogradit, së bashku me kërkesën për asociacionin, jep një ndjesi të fortë deja vu me zhvillimet e viteve 1990. Të dy ngjarjet përfshijnë serbët etnikë që janë kundër pavarësisë së territorit ku jetojnë. Po ashtu prapa këtyre ngjarjeve ka qenë Beogradi që ka dirigjuar duke “hedhur gurin e fshehur dorën”. Të dy ngjarjet përfshijnë përdorimin e propagandës dhe dezinformimit. Rebelët serbë gjatë revolucionit të trungjeve përdorën propagandë dhe dezinformim për të demonizuar qeverinë kroate dhe për të justifikuar veprimet e tyre. Edhe dje, Vuçiqi përdori propagandë dhe dezinformim për të demonizuar policinë dhe qeverinë e Kosovës dhe për të justifikuar veprimet e terroristëve që sulmuan policinë.

Në të dy rastet, serbët kanë bllokuar rrugët dhe kanë përdorur mjete të tjera për të ndërprerë funksionimin normal shtetëror dhe për të krijuar një ndjenjë frike dhe pasigurie në mes të popullatës shumicë. Një tjetër ngjashmëri është se në të dy rastet, serbët janë duke kërkuar të themelojnë një rajon autonom brenda shtetit.

Kuptohet që ngjashmëria e fundit është fakti që Vuçiqi është gatuar në atë epokë. Në vitin 1990, ishte një ndër huliganët e Delijes apo Yllit të Kuq, të drejtuar nga Arkan, të cilët u përleshën me tifozët e Dinamos së Zagrebit, si një paralajmërim për konfliktin që po afrohej. Më vonë u bë aktivist dhe sekretar i partisë radikale serbe të Sheshelit dhe në 1998 u bë ministri i informacionit që propagandonte urrejtje ndaj shqiptarëve, censuronte dhe dëbonte mediat e huaja si dhe legjitimonte krimet e bëra në Kosovë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!