×
Opinione

Zgjidhje përfekte juridike me një lëvizje gjeniale politike!

Reporteri
03 Prill 2021 | 17:04

Autor: Bardhyl Hasanpapaj


Lëvizja e fundit politike e Kurtit dhe Osmanit i Siguron Kosovës Zgjedhjen e Presidentit dhe garanton përfundimisht shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare!


Shumë zhurmë për një lëvizje taktike politike por që do dëshmohet që ishte e vetmja që i siguron vendit stabilitet politik duke garantuar zgjedhjen e Presidentit të vendit dhe rrejdhimisht edhe shmangien e zgjedhjeve të përgjithshme. Paqartësia dhe zhurma që u krijua nga lëvizja e fundit politike nuk është asgjë vecse një taktikë e ideuar në mënyrë përfekte politikisht dhe e siguruar katërciprisht juridikisht që siguron shmangien e zgjedhjeve dhe garanton zgjedhjen e Presidentit. Kjo gjë tashmë është garantuar jo vetëm politikisht por ka hyrë në binarët e duhur juridik.

Juridikisht tashmë ka filluar procedura e zgjedhjes së Presidentit të vendit, me vet mbledhjen e nënshkrimeve dhe paraqitjen e dy kandidatëve për President. Kuvendi sipas nenit 82 (paragrafi 1.3) ka maksimumi 60 ditë në dispozicion për të bërë zgjedhjen e Presidentit. Në të kundërtën shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje. Ndërkohë sipas nenit 86 (paragrafi 2) të Kushtetutës, Presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të tij. Në rastin konkret, sipas Kushtetutës, Presidenti duhet të zgjedhet më së largu diten e hënë me 5 prill, 2021.

Megjithatë, nuk shkohet në votim pa garanci. Zgjedhje e Presidentit nuk është një ligj i thjeshte, që nëse nuk miratohet nuk behet qiameti! Përkundrazi, dështimi për zgjedhjen e Presidentit paralizon të gjitha institucionet tjera. Dështimi për të zgjedhë Presidentin nënkupton që nuk kemi më as Kuvend dhe kemi vetëm një Qeveri në Detyrë. Dilema eshte qëndrueshmëria e institucioneve të vendit. Prandaj, procesi i votimit në asnjë rrethanë nuk duhet të dështojë.

Këtë tashmë e kanë siguruar Kryetari i VV Albin Kurti dhe lëvizja GUXO e Vjosa Osmanit,  me lëvizjen e tyre taktike mirë të menduar strategjikisht dhe të garantuar juridikisht. Nëse nuk votohet Presidenti atëherë u ri-kthehemi zgjedhjeve. Por kesaj rradhe, më në fund do te llogariten edhe kontribuesit më të mëdhenj në ekonominë e Kosovës: votat e Diasporës që për shkak të pengesave procedurale dhe zvarritjeve teknike janë hedhur në koshin e plehrave.

Sidoqoftë, me një proces shumë demokratik në Kuvendin e Kosovës, koalicioni VV dhe Lista Vjosa, ua kanë mundësuar partive opozitare që të shmangin zgjedhje të reja. Pra, kualicioni qeverisës,ka toleruar dhe ka hequr dorë nga dëshira për të shkuar në zgjedhje dhe për të përfituar edhe më shumë politikisht, duke investuar në stabilitetin politik të vendit dhe në qeverisje e mirë të institucioneve në Kosovë.

Me nje qasje shtet-formuese, kualicioni Kurti – Osmani, mund të kërkojë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e opozitës që:

  1. Të fillohet procedura për zgjedhjen e Presidentit dhe kjo të votohet që në votimin e parë. Pra opozita duhet të votojë në tentativen e parë dhe të zgjedhë presidentin e vendit;
  2. Në rast se në tentativën e parë nuk zgjedhet Presidenti, atëherë elektorati e mëson që opozita preferon të rrezikojë zgjedhje të reja dhe që deputetët e sapo-zgjedhur nuk janë të gatshëm të ushtrojnë detyrat për të cilat janë votuar nga populli. Si pasojë, të gjitha deklaratat e eksponentëve të LDK për konstruktivitet në fakt do duhet të intepretoheshin si qëllim për de-struktivitet dhe për interesa te ngushta politike;
  3. Nëse dështon tentativa e parë për zgjedhjen e Presidentit, Kryetari i Kuvendit ka mundësi që të mos vazhdojë me votimin e raundeve të dyta dhe rrjedhimisht mund të kërkojë që votimi i roundit të dytë dhe të tretë të bëhet në një ditë/datë tjetër. Kjo do mundësontë që shumica parlamentare në një procedurë të rregullt të miratonte ligjin për ndryshimin e Ligjit të Zgjedhjeve të Përgjithshme, duke i mundësuar kështu diasporës – më së fundmi – votimin nëpër Ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Kjo mund të bëhet brenda 2-3 javësh, sipas procedurës së rregullt të miratimit të ligjeve në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, dhe standardet më të larta ligj-bërëse.
  4. Pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, atëherë, Kunvedi ka mundësi që për herë të dytë të tentojë të zgjedhë Presidentin. Pra në tentativen e dytë, opozita ka sërish mundësinë që të votojë Presidentin dhe të mos e dërgojë vendin në zgjedhje.
  5. Meqenese shpresa vdes e fundit, e njëjta mundësi egziston edhe në tentativen e tretë.

Në rast se këto tentative për zgjedhjen e Presidentit dështojnë, atëherë është shumë e qartë se kush dhe pse e ri-dërgoi vendin në zgjedhje. Kjo nënkupton që shumica parlamentare e sotme me zgjuarsi dhe përkushtim shtet-ndërtues ka krijuar të gjitha kushtet dhe siguritë si politike ashtu edhe juridike që të zgjedhet Presidenti dhe vendi të mos dërgohet në zgjedhje sërish. Në rast se këtë mundësi për tre herë radhas nuk shfrytëzohet nga opozita që ta sigurojë zgjedhjen e Presidenti atëherë nëse vendi shkon në zgjedhje, kjo demaskon saktë, plotësisht dhe pa asnjë dyshim qëllimet e drejtuesve të opozitës.

Ne përfundim, shumica parlamentare ka krijuar të gjitha siguritë, si politike ashtu edhe juridike që të zgjedhet Presidenti.  Ky proces  nuk kryhet dot në qoftë se partitë opozitare në Kuvend refuzojnë të ushtrojnë detyren që u ka ngarkuar votuesi Kosovar.

Zgjedhja është e thjeshtë dhe e qartë. Në këto rrethana, nuk ka asnjë logjikë tjerër as politike e aq më pak juridike që vendit jo vetëm të shkoj sërish në zgjedhje por, edhe më keq, të mbetet pa institucionin më të rëndësishëm në Republikën e Kosovës, përkatësisht pa Kreun e Shtetit!

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!