×
  • Sport
  • Sport

    Arrestohet ish-futbollisti kolumbian, pjesë e një karteli të drogës

    Reporteri
    21 Mars 2019 | 15:23

    Ish-futbollisti i përfaqësueses kolumbiane, John Viafara është arrestuar nga policia me akuzën e trafikut të drogës, e mund të ekstradohet në SHBA sipas lajmeve të konfirmuara nga Prokuroria.


    Tashmë në moshën 40-vjeçare, ish-mesfushori ishte një prej 5 personave të vënë në pranga ditën e martë në Jamudi e Medellin, në veriperëndim të vendit, në një operacion të përbashkët mes zyrës së prokurorisë dhe policisë gjyqësore.

    Hetimet u drejtuan nga autoritetet amerikane dhe mësohet se të arrestuarit ishin pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, që kishte lidhje me strukturat kriminale të kartelit të drogës “Clan del Golfo”.

    Viafara dyshohet se ka trafikuar kokainë me motoskaf dhe gjysmënëndetëse nga Kolumbia në drejtim të Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet Amerikës Qendrore, në periudhën 2008-2018. Në grup, ai njihej si “Futbollisti” dhe kishte për detyrë që të paguante transportuesit e të vendoste kontakte për dërgimin e ngarkesave të drogës në Amerikën Qendrore.

    Policia bëri të ditur se në vitet 2017 e 2018 sekuestroi 2.5 tonë kokainë nga grupi i Viafaras, me vlerë prej 28 milionë dollarësh. Viafara nuk është futbollisti i parë kolumbian që arrestohet për trafik droge. Në shkurt, ish-mbrojtësi Osorio u dënua me 5 vite “arrest shtëpie”, pasi tentoi të trafikonte një kg kokainë në Spanjë; ndërsa vitin e kaluar, Freddy Rincon, që ka luajtur për Napolin e Realin e Madridit, u dënua për trafik droge dhe pastrim parash në Panama.

    Kolumbia është vendi prodhues më i madh i kokainës në botë, pjesa më e madhe e së cilës është e destinuar për tregun amerikan.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!