Achraf Hakimi është sërish në mesin e 30 kandidatëve për “Topin e Artë” dhe shpreson që çmimi prestigjioz të përfundojë përsëri në radhët e Paris Saint-Germainit.

Mbrojtësi maroken, i cili në edicionin e kaluar përfundoi në vendin e gjashtë, pas triumfit të bashkëlojtarit të tij Ousmane Dembélé, foli për ambiciet e tij pas fitores së madhe të PSG-së ndaj Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.

Në një intervistë për “CBS”, Hakimi u shpreh se do të dëshironte që një tjetër futbollist i klubit parisien ta fitonte këtë çmim, përcjell “Gazeta Express”.

Reklamë

“Shpresoj që një lojtar i PSG-së të mund ta sjellë këtë trofe sërish në Paris dhe ta festojmë së bashku me tifozët dhe skuadrën”, deklaroi Hakimi.

I pyetur nëse shpreson që fituesi të jetë vetë ai, mbrojtësi nuk e fshehu ambicien, por tregoi se nuk e ka këtë çmim si objektivin e vetëm.

“Është një çmim i veçantë dhe të gjithë dëshirojnë ta fitojnë. Por, edhe nëse nuk ia dal, jam shumë i lumtur që jam nominuar. Për mua, gjëja më e rëndësishme janë trofetë kolektivë”, theksoi ylli maroken.

Hakimi vazhdon të jetë njëri prej futbollistëve kryesorë të PSG-së dhe një nga mbrojtësit e djathtë më të vlerësuar në futbollin evropian.

Megjithatë, ai e bëri të qartë se suksesi i skuadrës mbetet përparësia e tij, pavarësisht ambicieve për të fituar çmimin individual më prestigjioz në futboll.

Reklamë