Sulmuesi i ri Arijon Ibrahimovic është rikthyer te Bayern Munich pas huazimeve te Frosinone në Itali dhe së fundi te Heidenheim në Bundesliga, duke deklaruar se synimi i tij është të fitojë sa më shumë minuta dhe të dëshmojë vlerat në skuadrën bavareze.
20-vjeçari, i cili është produkt i akademisë së Bayernit, u shpreh i lumtur për rikthimin te klubi, duke e cilësuar atë si mundësinë më të madhe në karrierën e tij.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që më është dhënë mundësia të luaj për klubin më të madh në botë. Dua ta shfrytëzoj maksimalisht këtë rast dhe do të jap gjithçka në çdo seancë stërvitore”, tha Ibrahimovic.
Duke folur për rolin e tij në skuadër, ai theksoi se mund të jetë alternativa e Luis Diaz në krahun e majtë të sulmit.
“Mund të jem zëvendësuesi i Luis Diaz. Kam shumë për të mësuar prej tij, veçanërisht në duelet një kundër një dhe për intensitetin që sjell në lojë”, u shpreh ai.
Ibrahimovic vlerësoi edhe periudhën e kaluar te Heidenheim, ku tha se përvoja e fituar do ta ndihmojë në rikthimin te Bayern.
“Luftuam deri në fund të sezonit, deri në minutën e fundit. Kalova një periudhë fantastike te Heidenheim. Mentalitetin për të dhënë maksimumin çdo ditë po e sjell me vete edhe në Munich”, deklaroi ai.
Sa i përket objektivave, futbollisti gjerman theksoi se dëshiron të sigurojë sa më shumë hapësira në ekip.
“Dua të luaj sa më shumë. Më duhet të dëshmoj veten këtu dhe shpresoj ta shfrytëzoj çdo mundësi që do të më jepet”, tha Ibrahimovic.
Ai komentoi edhe paraqitjet e bashkëlojtarit Lennart Karl, duke theksuar se është i përqendruar te zhvillimi i tij.
“Lennart ka bërë shumë mirë sezonin e kaluar dhe ndoshta mund të mësoj diçka prej tij. Megjithatë, dua të përqendrohem te loja ime dhe thjesht të luaj”, u shpreh ai.
Lidhur me Kombëtaren e Gjermanisë, Ibrahimovic tha se për momentin fokusi i tij i vetëm mbetet Bayern Munich.
“Fillimisht dua të vendosem këtu, të luftoj për minuta dhe të jap maksimumin. Më pas do të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja”, përfundoi ai.
Nëse luan rregullisht për Bayernin, Arijoni mund të jetë një kandidat për një vend në Gjermaninë A, gjithashtu edhe Kosova mund të jetë një opsion për të.