Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po planifikon të hapë për investitorë privatë aksionet e lidhura me Kupën e Botës dhe garat kryesore të organizuara nga institucioni më i lartë i futbollit botëror.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, për këtë qëllim pritet të krijohet një kompani e re, e cila do të menaxhojë të drejtat tregtare të disa prej kompeticioneve më të rëndësishme të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra, si dhe Kupën e Botës për Klube.

Investitorët privatë fillimisht pritet të blejnë 20 deri në 30 për qind të aksioneve, për një vlerë prej disa miliardë dollarësh. FIFA do të mbetet aksionari kryesor, ndërsa edhe 211 federatat anëtare do të marrin pjesë me aksione të vogla, të cilat mund t’i mbajnë ose t’i shesin.

Reklamë

Megjithatë, ky plan ka shkaktuar reagim të ashpër nga UEFA. Konfederata evropiane ka kritikuar idenë, duke thënë se futbolli nuk duhet të trajtohet si një mall financiar.

“Kjo kalon një vijë që institucionet përgjegjëse për futbollin nuk duhet ta kalojnë kurrë”, ka deklaruar UEFA.

Në një reagim tjetër, UEFA ka theksuar se mungesa e transparencës rreth përfituesve financiarë është shqetësuese.

“Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë mallra – veçanërisht jo me errësirë të plotë se kush përfiton financiarisht. Askush prej nesh nuk e zotëron futbollin”, thuhet në deklaratën e UEFA-s.

Sipas raportimeve të “Times” dhe “Financial Times”, në planet për investim mund të jenë të përfshirë edhe figura të afërta me administratën e presidentit amerikan Donald Trump. Investitori amerikan i teknologjisë, Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushnerit, dhëndrit të Trumpit, raportohet se është në bisedime për të udhëhequr investimin përmes fondit të tij “Thrive Eternal”.

Reklamë

Planet, sipas mediave, janë duke u përgatitur prej disa muajsh dhe ende kërkojnë miratime përfundimtare. FIFA raportohet se po bashkëpunon me bankën e investimeve “JP Morgan” për këtë proces.

Një marrëveshje e tillë do të mund të ndikonte edhe në të ardhmen e Infantinos në FIFA. Nëse modeli zbatohet, ai mund të drejtojë kompaninë e re pas përfundimit të mandatit të tij si president i FIFA-s në vitin 2031, në rolin e komisionerit ose drejtorit ekzekutiv.

Infantino kishte tentuar edhe më herët të realizonte projekte të ngjashme, përfshirë një marrëveshje miliardëshe për Kupën e Botës për Klube dhe një Ligë Globale të Kombeve në vitin 2018, por ato plane nuk morën mbështetjen e nevojshme brenda FIFA-s.