×
  • Sport
  • Sport

    Ishte i pari që i tha “PO” Kosovës, karriera e yllit të Dardanëve pati shumë rënie e ngritje brenda pak viteve

    Reporteri
    21 Mars 2019 | 17:27

    Fillimisht më 5 shkurt të vitit 2014 dhe më pas përfundimisht më 4 shkurt të vitit 2016, Bersant Celina zgjedh ta përfaqësojë Kosovën dhe është njëri nga lojtarët e parë nga arena ndërkombëtare që e bëri një gjë të tillë.

    Babai i Bersantit, Eduari konfirmon se djali i tij nuk ka dyshime dhe do të vijë ta përfaqësojë me nder shtetin e tij të lindjes, Kosovën.

    ”Kosova do të jetë anëtare e UEFA’s dhe FIFA’s në maj të këtij viti dhe Bersanti mund të luaj në kualifikime të Kupës së Botës të vitit 2018 dhe të jetë lojtar vendimtar, e jo të qëndroj në bankën rezervë të Norvegjisë U21. Për me keq Leif Gunnar Smerud[trajneri i Norvegjisë U21] na ka mashtruar për javë të tëra, duke u takuar me Bersantin dhe duke e inkuadruar vetëm 3 minuta”, kishte thënë asokohe babai i Celinës.

    Për Bersant Celinën fillon një kapitull i ri. Ai përfaqësoi të gjitha moshat zingjirore të Norvegjisë, nga U15 deri në U21, por në momentin kur iu desh të zgjedhte mes shteti ku ai u rrit dhe mes atij ku u lind, 22-vjeçari pa hezitim zgjodhi këtë të fundit.

    Karriera profesionale e Celinës në klube

    Celina lind më 9 shtator të vitit 1996, por pas dy viteve familja e tij detyrohet të emigrojë në Norvegji, për shkak edhe të luftës që shpërtheu në Kosovë.

    Karrierën si futbollist e nis te Stromsgosdet, kur në vitin 2012, atij iu ofrua një bursë nga Rezervat e Manchester Cityt dhe Akademia në Angli, ku ai kaloi dy vitet e ardhshme si një student.

    Më 1 korrik 2014, Celina nënshkroi një kontratë profesionale trevjeçare me Manchester Cityn. Në atë kohë, Celina u lëndua dhe kishte një operacion; pasi u kthye nga lëndimi, ai mbeti me ekipin e të rinjve ndërsa rehabilitohej.

    Në fund të dhjetorit 2014 Celina u thirr në ekipin e parë nga trajneri Manuel Pellegrini për shkak të orarit të zënë të Krishtlindjeve që e pa Manchester Cityn të luajë katër ndeshje në pak se një javë.

    Celina nuk u zgjodh në 18-shen e parë për tri ndeshje në Premier Ligë, por në ndeshjen e katërt të vlefshme për raundin e tretë të FA Cup kundër Sheffield të mërkurën më 4 janar 2015, ai ishte në skuadrën e parë. Ai qëndroi në stol gjatë gjithë ndeshjes, të cilën City e fitoi 2-1.

    Më 9 janar 2016 Celina bëri paraqitjen e parë zyrtare me Cityn ndaj Norwich në FA Cup. Më vonë, ai bëri paraqitjen e parë zyrtare edhe në Premier Ligë ndaj Leicester, ndërsa kulmi u arrit kur startoi nga fillimi në ndeshjen ndaj Chelseat në kuadër të FA Cup.

    Karriera e tij merr tatëpjetën kur më 7 gusht të vitit 2016 ai kapet duke vozitur në gjendje të dehur nga autoritetet angleze në orën 3:30 të mëngjesit. Atij i hiqet e drejta e vozitjes për një vit dhe dënohet me para.

    Ky incident bëri që City ta dërgohet në huazim Celinën, më saktësisht te Twente, ku në 35 paraqitje shënoi pesë gola. Tek klubi holandez dëshmohet se sa shumë e dashuron vendin e tij Bersanti.

    Në ndeshjen mes Twentes dhe Feyenoord, banderola me mbishkrimin “Kosova është Serbi” shfaqet në stadium dhe pas ndeshjes Celina thotë se ajo u bë vetëm për ta nervozuar atë.

    “Unë mendoj se kjo ishte një përpjekje për të më bërë nervoz mua. Mendimi i parë që më shkoj në mendje, ishte të shkoja e ta hiqja atë. Kështu që unë shkova vetë atje dhe u përpoqa që ta heqë. Unë kam qenë shumë i zemëruar dhe i zhgënjyer”, kishte rrëfyer ai.

    Huazimet vetëm sa e bën edhe më të fortë yllin Kosovar.

    Në sezonin e rradhës atë e pret edhe një huazim, ai te Ipswich Town në Championship. Celina shkëlqen edhe aty, ndërsa luan 35 herë dhe shënon shtatë gola.

    Në verë të këtij viti, Swansea arrin marrëveshje me ‘Qytetarët’ për blerjen e mesfushori Bersant Celina. Operacioni kushtoi rreth 3 milionë funte, plus 1 milionë të tjera në bazë të përformancave të tij.

    Celina është duke shkëlqyer kohëve të fundit me ekipin uellsian, ku në 25 paraqitje ka shënuar katër gola dhe është faktor kyç në lojën e Swanseas.

    Karriera e tij me Kosovën

    Celina paraqitjen e parë me ‘Dardanët’ e bën në vitin 2014 ndaj Haitit dhe në vitet pasuese bëhet pjesë e rëndësishme e projektit të Albert Bunjakut, asokohe selektor i Kosovës.

    Ai luajti për Dardanët edhe para se Kosova të pranohej në FIFA e UEFA.

    Është shembull për shumë futbollistë që haptazi gënjyen opinionin tonë. Fjala është për Granit Xhakën, i cili kishte thënë se në momentin që Kosova do të pranohej në FIFA, ai do ta shqyrtonte mundësinë që të vinte të luante për vendin e tij.

    “Unë i jam mirënjohës Zvicrës për të gjitha. Jam i lindur në këtë vend, këtu e kam kryer shkollimin, kam mësuar lojën e futbollit dhe jam bërë ky që jam. Ndërkohë vendin tim, Kosovën, nuk e harroj kurrë dhe jam shumë i lidhur me të. Por, siç e thashë, angazhimi për Kosovën në këtë fazë, nuk është temë. Nëse Kosova pranohet me të drejta të plota si anëtare e FIFA-s, atëherë mund ta rishikoj pozicionin tim,” kështu kishte thënë Xhaka para se Kosova të anëtarsohej në FIFA e UEFA.

    Më pas Kosova u pranua me të drejtë të plota në FIFA dhe UEFA, por Graniti asnjëherë nuk e rishikoi pozicionin e tij.

    Celina gjithashtu shënoi gol në ndeshjen vëllazërore ndaj Shqipërisë, e cila përfundoi me rezultat 2:2 në vitin 2015.

    Në total, Celina ka bërë 11 paraqitje për Kombëtaren e Kosovës dhe ka shënuar një gol.

    Ndër të gjitha, ajo që mbahet mend nga ai është rrëfimi emocionues që tregoi pak para se të niste Liga e Kombeve, ku Kosova ishte sensacioni më i bukur.

    Mesfushori i Kombëtares së Kosovës ka qenë vetëm 2 vjeç kur shpërtheu lufta në Kosovë. Ai jetonte vetëm 32 km nga kufiri me Shqipërinë, në qytetin historik të Prizrenit, qytet ky që ishte prekur shumë nga lufta dhe kështu familja e tij vendosi të lëvizte në Drammen të Norvegjisë.

    “Ka qenë për shkak të sigurisë sonë, nuk më kujtohet sepse isha shumë i vogël. Ishte kohë e vështirë, por ishte gjë e mirë që shkuam në Norvegji. Nëna ime kishte familjen atje dhe për këtë arsye shkuam në atë vend, por do të mund të ishte kudo tjetër, pasi njerëzit përfunduan në vende të ndryshme. Nuk është diçka që kam qejf të flas, por kanë qenë kohë të vështira. Ke gjithçka dhe më pas nuk ke asgjë. Prindërit e mi duhej të nisnin jetë të re, pasi ata humbën gjithçka. Nga letrat, në shkolla, në punë. Ishim emigrantë në një shtet tjetër”, kishte thënë Celina për WalesOnline.

    Bersant Celina është shembull kryesor se si dashurohet kombi. Ai refuzoi një kombëtare si Norvegjia dhe vendosi ta përfaqësonte Kosovën, edhe pse kjo e fundit ende nuk ishte pjesë e UEFA-së dhe FIFA-së.

    Celina është dhe do mbetet një nga më meritorët për sukseset e ‘Dardanëve’, që po shpresojmë se në një të ardhme do të jenë edhe më të mëdha dhe ai të jetë pjesë e tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!