Kosova dhe Austria përballen sonte (e diel) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një duel ku përveç rëndësisë sportive, dallimet mes dy përfaqësueseve shihen edhe në vlerën e skuadrave, renditjen botërore dhe formën e tyre të fundit.
Kosova dhe Austria zbresin në fushë nga ora 18:00, me të dyja përfaqësueset që kërkojnë fitoren e dytë në këtë kampanjë të Ligës së Kombeve. Kosova e nisi me fitore ndaj Irlandës, ndërsa Austria triumfoi ndaj Izraelit.
Në prag të ndeshjes, një krahasim mes dy ekipeve tregon disa dallime interesante, duke nisur nga vlera e përgjithshme e skuadrave dhe lojtarët më të shtrenjtë, e deri te pozitat në ranglistën e FIFA-s dhe rezultatet e Kosovës e Austrisë në 10 ndeshjet e fundit.
Kosova – 141.05 milionë euro
Sipas të dhënave të faqes së specializuar për vlerësimin e futbollistëve, Transfermarkt, përfaqësuesja e Kosovës ka një vlerë të përgjithshme prej 141.05 milionë eurosh.

Lojtari më i shtrenjtë i Dardanëve është sulmuesi Fisnik Asllani, i vlerësuar me 30 milionë euro.
Pas tij renditen Leon Avdullahu me vlerë prej 30 milionë eurosh dhe Albian Hajdari me 25 milionë euro.
Në mesin e lojtarëve më të vlefshëm janë edhe Edon Zhegrova me 10 milionë euro dhe Arijanet Muric me 7.5 milionë euro.
Kapiteni Vedat Muriqi aktualisht vlerësohet me 7 milionë euro, ndërsa në listën e lojtarëve me vlerë të konsiderueshme janë edhe Veldin Hoxha dhe Dion Gallapeni me nga 4 milionë euro, Milot Rashica me 3.5 milionë dhe Mërgim Vojvoda me 2.5 milionë euro.
Forma e Kosovës në 10 ndeshjet e fundit
Sa i përket formës së fundit, Kosova ka regjistruar pesë fitore, dy barazime dhe tri humbje në 10 ndeshjet e fundit.
Dardanët kanë mposhtur Irlandën 1-0 në ndeshjen e parë të kësaj kampanje, ndërsa kanë triumfuar edhe ndaj Suedisë 2-0 dhe 1-0, Sllovenisë 2-0 dhe Sllovakisë 4-3.
Kosova ka regjistruar dy barazime në këtë seri, ndaj Zvicrës 1-1 dhe Izraelit 0-0.
Tri humbjet kanë ardhur ndaj Turqisë 0-1, Çekisë 1-2 dhe Austrisë 1-3. Përballja e fundit mes Kosovës dhe Austrisë u zhvillua më 27 shtator në Vjenë, ku austriakët triumfuan 3-1.
Kosova në vendin e 78-të në FIFA
Në ranglistën e FIFA-s, Kosova aktualisht pozicionohet në vendin e 78-të në botë. Ky është pozicioni më i mirë i saj për vitin 2026 deri tani.
Dardanët synojnë ta vazhdojnë ngjitjen në renditjen botërore me rezultate pozitive, ndërsa sonte kanë përpara një kundërshtar që renditet dukshëm më lart.
Austria – 261.80 milionë

Në anën tjetër, sipas Transfermarkt, vlera e përgjithshme e përfaqësueses së Austrisë është 261.80 milionë euro.
Në krye të listës së futbollistëve më të vlefshëm të Austrisë është mesfushori i Bayern Munichut, Konrad Laimer, i cili vlerësohet në 32 milionë euro.
Pas tij renditen Nicolas Seiwald (RB Leipzig) me vlerë prej 25 milionë eurosh dhe Paul Wanner (PSV) me 22 milionë euro.
Në mesin e lojtarëve më të shtrenjtë të Austrisë janë edhe Carney Chukwuemeka, David Affengruber dhe Kevin Danso, të gjithë të vlerësuar me nga 20 milionë euro.
Më pas vijnë Romano Schmid me 15 milionë euro, Patrick Wimmer me 12 milionë, si dhe Xaver Schlager me vlerë prej 10 milionë eurosh.
Gjashtë fitore në 10 ndeshjet e fundit
Austria ka regjistruar gjashtë fitore, dy barazime dhe dy humbje në 10 ndeshjet e fundit.
Në këtë periudhë, Austria ka mposhtur Izraelin 3-1, Jordaninë 3-1, Tunizinë 1-0, Korenë e Jugut 1-0, Ganën 5-1 dhe Qipron 2-0.
Dy barazimet e Austrisë kanë ardhur ndaj Algjerisë 3-3 dhe Irlandës 2-2, ndërsa dy humbjet janë regjistruar ndaj Spanjës 3-0 dhe Argjentinës 2-0 gjatë Kupës së Botës 2026.
Austria vjen në Prishtinë pas barazimit 2-2 me Irlandën në ndeshjen e fundit, ndërsa më 27 shtator mposhti Kosovën 3-1 në Vjenë.
Austria në vendin e 23-të në FIFA
Në ranglistën e FIFA-s, Austria aktualisht pozicionohet në vendin e 23-të në botë, 55 pozita më lart se Kosova.
Përfaqësuesja austriake ishte pjesë e Kupës së Botës 2026 dhe llogaritet si një nga ekipet më të forta të grupit në Ligën e Kombeve.
Në aspektin financiar, diferenca mes dy përfaqësueseve është gjithashtu e ndjeshme. Austria vlerësohet rreth 97.4 milionë euro më shumë se Kosova.
Megjithatë, shifrat e tregut, vlerat individuale të lojtarëve dhe renditja e FIFA-s mbeten vetëm tregues statistikorë.
Përgjigjen përfundimtare do ta japë fusha e “Fadil Vokrrit”, ku Kosova, para tifozëve të saj, do të kërkojë fitoren e dytë në këtë kampanjë, ndërsa Austria synon të përsërisë suksesin e ndeshjes së parë. /Telegrafi/

Sot, në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 18:00, Kosova zhvillon një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj fushate në Ligën e Kombeve, duke pritur Austrinë në Prishtinë.
Pas fitores ndaj Irlandës, humbjes në Vjenë dhe barazimit pa gola me Izraelin, “Dardanët” kanë katër pikë dhe kërkojnë një rezultat pozitiv për të mbetur në garën për kreun e grupit.
Austria vjen si lidere e Grupit B3 me shtatë pikë, por pas barazimit 2-2 ndaj Irlandës, ndërsa një humje në Prishtinë do ta happte grupin për pozitat në krye.
Për Kosovën, kjo është mundësia për të korrigjuar humbjen 3-1 në Vjenë dhe për të bërë një hap të madh drejt objektivit të saj në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Telegrafi iu mban të informuar për çdo gjë rreth kësaj ndeshje.

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme (e diel) ndaj Austrisë, duke sqaruar edhe shqetësimin fizik që pati pas ndeshjes së kaluar.
Vedat Muriqi ka folur para mediave në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme të Kosovës ndaj Austrisë në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 18:00.
Sulmuesi kosovar ka bërë të ditur se ka pasur një shqetësim fizik pas ndeshjes së fundit, por ka theksuar se nuk bëhet fjalë për diçka që do ta pengojë të luajë në sfidën e radhës.
Muriqi shpjegoi se shqetësimi lidhet me një lëndim që kishte pësuar rreth një muaj më parë te klubi i tij dhe me ngarkesat që mund të shfaqen gjatë rikuperimit dhe përshtatjes së muskulit.
“Pata një shqetësim pas ndeshjes me Austrinë, pasi para një 1 muaji u pata lënduar me klub edhe derisa adaptohet muskuli ka me pas ngarkesa pas ndërrimit të fushës. Sot do bëj stërvitje dhe nesër do të jem gati”, ka thënë Muriqi në konferencë.
Kështu, Muriqi pritet të jetë në dispozicion të përzgjedhësit të Kosovës për përballjen e nesërme ndaj Austrisë, me sulmuesin që ka konfirmuar gatishmërinë e tij për këtë takim. /Telegrafi/

Përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, ka thënë se skuadra e tij udhëton në Prishtinë me synimin për të marrë tri pikët ndaj Kosovës në ndeshjen e katërt të grupit në Ligën e Kombeve.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Kosovës, përzgjedhësi i Austrisë ka folur për pritshmëritë e skuadrës së tij dhe mënyrën se si e sheh përballjen në Prishtinë të dielën nga ora 18:00 në stadiumin Fadil Vokrri.
Rangnick ka theksuar se Austria duhet të jetë e durueshme gjatë ndeshjes dhe se ekipi i tij nuk dëshiron të largohet pa pikë nga Prishtina.
“Duhet të jemi të durueshëm dhe deri në fund të jetë baras. Durimi duhet të jetë maksimal. Duhet ta shohim edhe një herë ndeshjen e parë dhe pastaj të shohim”, ka thënë fillimisht Rangnick.
Trajneri austriak ka bërë të qartë se objektivi i skuadrës së tij është fitorja, duke e krahasuar këtë ndeshje me atë ndaj Irlandës.
“Natyrisht, nuk duam të humbim në Prishtinë. Por ne duam t’i marrim tri pikët, ashtu siç donim në Irlandë. Në pjesën e dytë luajtëm me të gjitha forcat dhe morëm një pikë”, përfundoi përzgjedhësi i Austrisë.
Rangnick ka konfirmuar gjithashtu se në dispozicion ka pothuajse të gjithë futbollistët për këtë përballje. Përjashtim bën Carney Chukwuemeka, i cili mbetet në dyshim për ndeshjen ndaj Kosovës.
Përballja në Prishtinë pritet të jetë një tjetër test i rëndësishëm për të dyja skuadrat, me Austrinë që kërkon pikët e plota dhe Kosovën që synon të shfrytëzojë faktorin fushë për t’u rikthyer te tri pikët. /Telegrafi/