Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, nuk arriti të shënojë në ndeshjen e së dielës, por skuadra e tij, Mallorca, siguroi një fitore shumë të rëndësishme në kampionatin spanjoll.

Mallorca e mposhti në shtëpi Espanyolin me rezultat 2:1, në takimin e vlefshëm për javën e 28-të të La Liga-s.

Mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 36-të, kur Charles Pickel realizoi për 0:1. Situata për Espanyolin u vështirësua në pjesën e dytë, pasi Pickel u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 54-të, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak në fushë.

Reklamë

Epërsinë numerike vendasit e shfrytëzuan në vazhdim të takimit. Mallorca barazoi rezultatin në minutën e 65-të me golin e Pablo Torre.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Samu Costa realizoi në minutën e 88-të, duke kompletuar përmbysjen dhe duke i siguruar Mallorcas tri pikë shumë të vlefshme.

Pas kësaj fitoreje, Mallorca ngjitet në vendin e 16-të në tabelë me 28 pikë.