Manchester Unitedi i hakmerret Barcelonës për rritjen e çmimit të biletave

Të pakënaqur me vendimin e Barcelonës për t’i rritur çmimet e biletave për ndeshjen mes dy skuadrave në Camp Nou, drejtuesit e Manchester Unitedit e kanë marrë iniciativën për t’ua paguar tifozëve të klubit të tyre një pjesë të biletës.


Barcelona i ngriti çmimet e biletave për ndeshjen me Manchester Unitedi nga 87 euro në 118. Mirëpo, tifozët e klubit anglez do t’i paguajnë prapëseprapë vetëm 87 euro, transmeton Gazeta Express.

Kjo pasi që 31 eurot e mbetura do të paguhen nga Manchester Unitedi. Paratë për këto shpenzime, klubi anglez do t’i marrë nga fitimet prej shitjes së biletave për ndeshjen kundër Barcelonës në Old Trafford, pasi që edhe tifozët katalonas do të detyrohen t’i paguajnë biletat me çmim të ngritur në shtëpinë e Unitedit.

“Ngjashëm si me rastin e Valencias në fazën e grupeve dhe me Sevillën sezonin e kaluar, ne jemi detyruar ta marrin vendimin e vështirë për ta ngritur çmimin e biletave për ndeshjen në Old Trafford për tifozët e Barcelonës. Ata do ta paguajnë të njëjtin çmim që do ta paguajnë tifozët e klubit tanë për ndeshjen në Camp Nou”, shkruhet në njoftimin e klubit anglez.

“Ne do t’i përdorim fitimet shtesë nga biletat e tifozëve të Barcelonës për t’ua ulur shpenzimet tifozët tanë për 31 euro, për ndeshjen kthyese në Barcelonë”.

Manchester Unitedi dhe Barcelona do të përballen fillimisht në Old Trafford, më 10 prill, e pastaj ndeshja kthyese do të zhvillohet në Camp Nou, më 16 prill.

Klubi katalonas është favorit për ta zënë një vend në gjysmëfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, pasi që djemtë e Ernesto Valverdes janë duke e kaluar një sezon më të mirë këtë vit. Ata janë në finale të Kupës së Mbretit dhe liderë të La Ligës. Për këtë arsye, e duan me ngulm edhe suksesin në Ligën e Kampionëve për ta kompletuar tripletën këtë sezon.

Në anën tjetër, Manchester Unitedi është ringjallur pas shkarkimit të Jose Mourinhos dhe emërimit të Ole Gunnar Solskjaer në pozitën e trajnerit. Megjithatë, dy ndeshjet e fundit kanë qenë zhgënjyese për “Djajtë e kuq”, të cilët e humbën vendin e katër në tabelën e Premierligës pas disfatës ndaj Arsenalit dhe u eliminuan nga FA Cup pas disfatës ndaj Wolves.

Megjithatë, skuadra e Solskjaer e dëshmoi në fazën paraprake të Ligës së Kampionëve se asgjë nuk është e pamundur. Manchester Unitedi u kualifikua në çerekfinale duke e përmbysur rezultatin ndaj Paris Saint-Germainit.