×
  • Sport
  • Sport

    Në kanalet sportive serbe që transmetohen në Kosovë shfaqen mesazhe mbështetëse për terroristët e Banjskës

    Reporteri
    30 Shtator 2023 | 22:23

    Porgramet sportive serbe “Arena sport” që transmetohen nga disa operatorë kabllorë në Kosovë, të shtunën kanë transmetuar spot kërcënues, që ndërlidhet me rastin e Banjskës.

    “Do të mbajmë mend”, thuhet në spotin e prezantuar, ndërsa po ashtu nuk mungojnë as lavdet për sulmuesit që u vranë në aksionin e Policisë në Banjskë të Zveçanit të dielën, pasi grupi i armatosur vrau policin Afrim Bunjaku.

    Në spot shkruan edhe “Manastiri i Banjskës” dhe data e 24 shtatorit, kur ndodhi rasti.

    Serbia ka thurur lavde për sulmuesit që u vranë gjatë aktit terrorist në Kosovë. Madje ka shpallur edhe ditë zie për ta.

    Por kjo nuk është hera e parë që këto kanale që në Kosovë transmetohen përmes tri platformave televizive, kanë shfaqur mbështetje publike për sulmin terrorist në Kosovë.

    Më 27 shtator, kur Serbia shpalli zyrtarisht ditë zie për shtetin e tyre, në kanalet e ‘Arenasport’ përgjatë transmetimit të ndeshjeve, poshtë ekranit u shfaq edhe shkrimi ‘ditë zie’. Më pas, në të njëjtën ditë, këto kanale u ndalën nga transmetimi.

    Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga grupi i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.

    Ndërkaq, Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim.

    NATO-ja ka shtuar forcat në veri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!