×
  • Sport
  • Raporto
  • Sport

    “Nuk mundëm t’i përmbushim të gjitha kërkesat e tifozëve”, Dardanët dalin me një kërkimfalje para ndeshjes

    Reporteri
    31 Mars 2026 | 10:30

    Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen finale të Play-Off për Kampionatin Botërorë kundër Turqisë me fillim nga ora 20:45.

    Interesimi për të parë këtë ndeshje nga shkallët e stadiumit ka qenë jashtëzakonisht i madh, pasi nuk ka njeri në vendin tonë që nuk do të jetë prezent në Fadil Vokrri, por fatkeqësisht kapaciteti i stadiumit është vetëm 13,980 ulëse.

    Dardanët kanë dalë me njoftim duke kërkuar falje që nuk kanë mundur t’i përmbushin gjitha kërkesat e tifozëve.

    Gjithashtu tifo grupi i Kosovës ka bërë thirrje që të gjithë të pranishmit në stadium të jenë me simbole të Kosovës, shalla, duksa dhe flamuj.

    Njoftimi i plotë nga Dardanët:

    Ndjejmë keqardhje të thellë që nuk kemi arritur t’u përgjigjemi të gjithë të interesuarve për t’u pajisur me bileta për finalen e madhe Kosovë – Turqi. Kërkojmë sinqerisht falje që nuk kemi mundur t’i përmbushim të gjitha kërkesat e panumërta, me mijëra të tilla, që tejkaluan çdo pritshmëri të imagjinueshme.

    Kjo kërkimfalje është e ndier, sepse na vjen keq për secilin prej jush që shprehu dëshirën për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje madhore për vendin tonë, por që, fatkeqësisht, nuk do të mund të jetë i pranishëm. Megjithatë, ky është kapaciteti i sektorit të tribunave që mbulojmë ne; nuk kemi mundësi as ta zgjerojmë dhe as të bëjmë të pamundurën. Ju lutemi për mirëkuptim dhe besim se, brenda përgjegjësive tona, kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë maksimumin.

    U bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë atyre që kanë paguar anëtarësimin vjetor të qëndrojnë të qetë, pasi biletat i kanë të garantuara. Sot, duke filluar nga ora 17:30, mjafton të paraqiten te Fan Club-i ynë me kartelën e anëtarësimit vjetor. Vetëm në këtë mënyrë, Policia e Kosovës do të lejojë hyrjen në ambientet e Fan Club-it, ku më pas do të bëhet edhe tërheqja e biletës.
    Prandaj, nuk është e nevojshme që ju, posedues të këtyre kartelave, të krijoni tollovi apo situata kaotike, pasi gjithçka është e organizuar për të rrjedhur sipas planit.

    Gjithashtu, nëse dikush mendon se misioni përfundon me ardhjen në stadium, gabon rëndë. Sot, përgjegjësinë për mbarëvajtjen e ndeshjes duhet ta ndiejmë të gjithë, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në mbështetjen e pakursyer ndaj ekipit tonë kombëtar. Duhet të motivojmë dhe të shtyjmë përpara futbollistët tanë drejt suksesit kulminant.

    Secili prej nesh duhet të japë më shumë se në ndeshjet e kaluara. Secili duhet të ndihet i përfshirë dhe të kontribuojë me kapacitetet e veta në organizim. Secili duhet të ngjitet në shkallët e stadiumit me vendosmëri dhe energji të pashtershme. Secili duhet të mbajë mbi vete përgjegjësinë e përbashkët për ta jetësuar ëndrrën tonë. Secili duhet të jetë aktiv, jo pasiv.

    Dhe, mbi të gjitha, sot secili duhet të vishet me ngjyrat e Kosovës: me shall, bluza apo duksa kombëtare.
    Me besim në Zot dhe me besën shqiptare, sot toka dhe qielli do të ushtojnë nga stuhia dardane!
    Çdo zemër dhe mendje e pastër shqiptari bashkëndien dhe frymon me futbollistët e artë të Kombëtares së Kosovës në këto orë vendimtare. Lutjet dhe uratat tona janë vetëm për ta. ??

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!