Paga e Marcus Rashfordit të Manchester Unitedit mund të katërfishohet në kontratën e re në vlerë prej 81 milionë eurove. Ai aktualisht i fiton 92 mijë euro për javë, ndërsa kontrata e re do t’i sjellë pagë rreth 350 mijë euro në javë.
Manchester Unitedi ka pasur probleme me pagat e lojtarëve që kur u transferua Alexis Sanchez. Përkundër paraqitjeve të dobëta të tij me “Djajtë e kuq”, ai mbetet lojtari më i paguar në skuadër, transmeton Gazeta Express.
Pikërisht Sanchezi është arsyeja pse edhe David De Gea nuk e ka rinovuar ende kontratën e tij me Manchester Unitedin. Pasi ai është zgjedhur lojtari më i mirë i skuadrës në katër nga pesë vjetët e fundit, spanjolli kërkon të ketë pagë të ngjashme me kilianin.
Edhe rasti i Ander Herrerës është i ngjashëm. Mesfushori spanjoll pritet të kalojë në Paris Saint-Germain si transferim i lirë gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që Manchester Unitedi nuk po pranon ta paguajë 230 mijë euro në javë.
Ndërsa, një lojtar i cili duket se do të fitojë një pagë të madhe nga klubi anglez është Marcus Rashfordi. Sipas të përditshmes angleze, The Mirror, Manchester Unitedi është i gatshëm t’i ofrojë 21-vjeçarit një marrëveshje të re, që do ta mbante anglezin në klub deri në vitin 2024.
Gazeta thekson se paga me kontratën e re do ta vendosë Rashfordin, i cili i ka 13 gola këtë sezon, në nivel të njëjtë page me Wayne Rooney afër fundit të karrierës së tij në “Old Trafford”, para se të largohej për në Everton në vitin 2017.