Trazirat dhe përleshjet me policinë në qendër të Barcelonës kanë ngritur shqetësime për sigurinë, vetëm pak orë para përballjes së madhe mes Barcelonës dhe Real Madridit, e cila zhvillohet sonte në stadiumin “Spotify Camp Nou”.
Sipas Reuters, trazirat e së shtunës në sheshin “Plaça de Catalunya” përfunduan me rreth 100 persona të arrestuar, mes tyre 27 të mitur. Gjatë incidenteve u raportuan zjarre në më shumë se 30 lokacione, ndërsa 14 biznese u dëmtuan ose u plaçkitën.
Protestat, të organizuara përmes rrjeteve sociale dhe të frymëzuara nga lëvizjet studentore në Francë, sipas autoriteteve nuk kishin lidhje me ndeshjen e futbollit.
Ngjarjet kanë rikthyer kujtimet e tetorit të vitit 2019, kur “El Clasico” u shty për shkak të tensioneve politike në Katalonjë. Megjithatë, këtë herë situata paraqitet ndryshe, pasi protestuesit nuk e kanë shënjestruar ndeshjen dhe nuk ka pasur kërkesa zyrtare për ndryshimin e orarit.
Përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit ishte klasifikuar si ndeshje me rrezikshmëri të lartë që më 14 tetor. Për këtë arsye, masat e sigurisë rreth stadiumit dhe në pikat kryesore të qytetit janë shtuar.
Pavarësisht trazirave, ndeshja mes dy rivalëve të përjetshëm do të zhvillohet sipas orarit të paraparë.