Barcelona do ta zhvillojë “El Clasicon” e këtij muaji kundër Real Madridit me fjalën “GOLF” të vendosur në pjesën e përparme të fanellave.

Barcelona do të përballet me rivalin e përbetuar Real Madrid në La Liga të dielën, më 25 tetor, ndërsa sponsori i përkohshëm në fanella është pjesë e një bashkëpunimi mes gjigantit katalunas, platformës së transmetimit të muzikës “Spotify” dhe muzikantit e artistit “Tyler, The Creator”.

Ai është krijuesi i markës “GOLF WANG”, logoja e së cilës do të vendoset në fanellat e ekipit të femrave të Barcelonës të shtunën e ardhshme dhe në ato të ekipit të meshkujve të dielën në mbrëmje.

Reklamë

“’Tyler, The Creator’ merr stafetën nga Olivia Rodrigo, Ed Sheeran, Travis Scott, Coldplay, Karol G, The Rolling Stones, Rosalia dhe Drake, artistë që më parë janë shfaqur në pjesën e përparme të fanellës së FC Barcelona”, thuhet në njoftimin e klubit.

“Për herë të parë, ‘Spotify’ ia ka besuar kontrollin e plotë kreativ një artisti dhe markës së tij për fushatën përkatëse audiovizuale dhe grafike”, thuhet tutje.

Fanella e ndeshjes do të jetë në qendër të një koleksioni të përbashkët, i cili përfshin gjithashtu trenerka, xhaketa bomber dhe bluza, si dhe një shall të ndeshjes.

“Spotify” do të organizojë një ngjarje muzikore në Barcelonë një ditë para ndeshjes kundër Real Madridit, ndërsa fanella do të jetë në dispozicion për lojtarët e videolojës eFootball nga e premtja, më 23 tetor.

Gjithsej 1.899 fanella të cilësisë së atyre që vishen në ditën e ndeshjes do të dalin në shitje, së bashku me 22 fanella të tjera të nënshkruara nga skuadrat e meshkujve dhe femrave, si dhe 11 fanella të tjera të nënshkruara nga “Tyler, The Creator”.

Reklamë

“Bashkëpunimi mes FC Barcelona dhe ‘Spotify’ vazhdon të krijojë lidhje të reja mes futbollit, muzikës dhe kulturës bashkëkohore”, tha Marc Soler, drejtuesi komercial i Barcelonës.

“’Me Tyler, The Creator’ në fanellën e ‘El Clasicos’, po e çojmë më tej një nismë që është bërë pjesë e pritjes për këtë ndeshje dhe që na mundëson të arrijmë te audienca në mbarë botën”, tha ai tutje.

Barcelona ka një histori relativisht të shkurtër sa i përket sponsorëve në pjesën e përparme të fanellës.

E themeluar në vitin 1899, Barcelona zgjodhi të mos përfshihej në sponsorizimin e fanellave deri në vitin 2006, plot 25 vjet pasi klubet e tjera spanjolle kishin nisur ta bënin këtë.

Reklamë

Nga viti 2006 deri në vitin 2011, fanellat e Barcelonës mbanin logon e “UNICEF”-it, organizatës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e fëmijëve. Klubi e promovoi atë falas, deri në vitin 2011, kur për herë të parë nisi të përfitonte financiarisht nga sponsorizimi i fanellës.

Gjatë 11 viteve pasuese, Barcelona u sponsorizua nga “Qatar Foundation”, “Qatar Airways” dhe “Rakuten”.

Që nga viti 2022, sponsori i klubit është “Spotify” dhe kjo marrëveshje e pazakontë ka bërë që hapësira reklamuese në fanella t’u jepet emrave të mëdhenj të muzikës për disa prej përballjeve të skuadrës me Real Madridin.

Reperi Drake ishte i pari. Në vitin 2022, logoja e markës së tij “October’s Very Own” u shfaq në fanellën e Barcelonës në një “El Clasico” që përfundoi me humbjen e katalunasve ndaj Real Madridit.

Reklamë