×
  • Sport
  • Sport

    Rama: Jam gati ta ndihmoj Kosovën, por FFK-ja nuk po më kontakton

    Reporteri
    19 Prill 2019 | 21:56

    Milaim Rama thotë se është i gatshëm të ndihmojë dhe ta japë kontributin e tij për futbollin kosovar, por që nuk është kontaktuar asnjëherë nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës


    Milaim Rama është i ftuar në emisionin “Favorit” në T7, ku theksoi se është i gatshëm të ndihmojë dhe ta japë kontributin e tij për futbollin kosovar.

    Mirëpo, ish-futbollisti i njohur kosovar thotë se nuk është kontaktuar asnjëherë nga Federata e Futbollit të Kosovës.

    Ai thotë se do të mund të kryente punë në Zvicër me afrimin e talenteve kosovare, duke e pasur parasysh se ka ndikim në shtetin Helvetik pas karrierës së suksesshme që e pati atje, ku e respektojnë dhe e vlerësojnë me të madhe.

    “Absolutisht, deri tash nuk ka pasur asnjë kontakt nga Federata e Futbollit të Kosovës. Unë e kam shprehur gatishmërinë dhe e kam cekur se jam i gatshëm, në çfarëdo mënyrë apo mundësie që më jepet që ta jap kontributin tim. Por, deri tash nuk është kërkuar nga unë kjo”, u shpreh Rama.

    “Unë jam njëri prej të parëve në Zvicër që kam lënë gjurmë dhe i gjithë populli shqiptar më njeh si futbollist, por edhe si personalitet i respektuar nga shqiptarët dhe zviceranët. Kam kontakte, biseda me talente dhe prindërit e tyre. Unë mund të bëj shumë, por nuk varet gjithçka nga unë. Shpresoj që një ditë të vijë dikush nga Federata dhe të bisedojmë se çka mund të bëjmë”, vazhdoi ai.

    “Në Zvicër mund të bëhet shumë, por vetëm duhet të zgjidhen njerëzit adekuatë, qoftë ai Milaimi apo dikush tjetër. Ka njerëz, por ndoshta mund të jem unë ai njeriu kyç. Të presim, jam i gatshëm ta jap kontributin tim, nëse kërkohet nga Federata. Jam munduar të vij deri tek kontakti, por deri tash nuk ka ndodhur. Deri tash nuk janë treguar të gatshëm të ulen dhe të bisedojmë se çka mund t’i jap Kombëtares së Kosovës”, nënvizoi Rama.

    Ai ndërkohë ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës, për të cilën theksoi se ka mundësi për t’u kualifikuar në Evropianin 2020, edhe pse e ka një grup të vështirë.

    Gjithashtu, edhe rrugën përmes Ligës së Kombeve e ka përmendur si të mundshme për t’u kualifikuar në Euro 2020.

    Sidoqoftë, edhe nëse nuk ndodh këtë herë, ai ka thënë se nuk është fundi i botës dhe se njerëzit në Kosovë nuk duhet të jenë shumë euforikë.

    Megjithëse, vlerëson se Kombëtarja e Kosovës ka ngritje në kualitet dhe se trajneri Bernard Challandes ka sjell disiplinë dhe punë profesionale.

    Rama ka treguar po ashtu se është duke e përcjellë futbollin e Kosovës, sidomos në vitet e fundit, ndërsa e sheh të “zjarrtë” luftën për titull në mes të Feronikelit, Prishtinës dhe Llapit.

    Ai e favorizon Feronikelin për ta fituar titullin e kampionit në IPKO Superligë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!