Shqetësimet për gjendjen shëndetësore të trajnerit të Bayern Munichut, Vincent Kompany, janë shtuar pasi 40-vjeçari është dërguar me ambulancë në spital të premten.
Mëngjesin e së premtes, një helikopter kishte aterruar në qendrën stërvitore të klubit, në “Säbener Straße”.
Kompany është prekur nga një infeksion viral në fillim të kësaj jave, i cili duket se ka ndikuar ndjeshëm në gjendjen e tij fizike.
Gjatë fitores 6:1 ndaj Leipzigut, të shtunën e kaluar, trajneri belg u kishte folur lojtarëve, por gjatë pushimit mes pjesëve dhe pas përfundimit të ndeshjes ishte detyruar të shtrihej në divanin e dhomës së stafit të trajnerëve.
Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, Kompany ishte ulur për të analizuar pamjet e ndeshjes në laptopin e tij. Ndërkohë, në intervistat pas takimit, në vend të tij kishin folur drejtorët sportivë të klubit.
Infeksioni kishte ndikuar aq shumë në shëndetin e belgut, saqë ai kishte pasur vështirësi edhe në ngjitjen e shkallëve.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, Kompany nuk e kishte drejtuar stërvitjen të hënën dhe mungoi edhe në seancën e fundit para ndeshjes ndaj Arsenalit, e cila përfundoi me rezultatin 2:2. Në konferencën për shtyp para këtij takimi ishte paraqitur asistenti i tij, Aaron Danks.
“Gjëja më e rëndësishme është që ai të pushojë dhe ta marrë kohën që i duhet, sado që i duhet kohë”, kishte deklaruar Danks.
Megjithatë, të mërkurën, Kompany ishte në krye të Bayernit në përballjen ndaj Arsenalit.
Pas ndeshjes në Ligën e Kampionëve, trajneri belg kishte folur edhe për gjendjen e tij shëndetësore, duke pranuar se kishte vazhduar të punonte pavarësisht infeksionit.
“Si trajner, gjithmonë dëshiron të bësh e të arrish diçka. Jam prekur nga një virus shumë i vështirë javën e kaluar, dhe natyrisht, unë nuk e dëgjova trupin tim. Në një pikë, trupi më tha, ndalu tani!”, kishte thënë Kompany.