Sonte zhvillohet ndeshja Austri-Kosovë në stadiumin “Ernst Happel”, me fillim nga ora 18:00.

“Dardanët” e kanë nisur këtë edicion me fitore, pasi në ndeshjen e parë mposhtën Republikën e Irlandës me rezultat 1-0.

Pas këtij triumfi, Kosova u ngjit edhe për një pozitë në ranglistën e FIFA-s, duke kaluar në vendin e 77-të.

Reklamë

Trajneri i Kosovës, Franco Foda ka thënën se Austria është favorite, por se Kosova do të ketë mbështetje të madhe nga tifozët kosovarë që pritet të jenë në numër të madh në stadium.

Masa të shtuara të sigurisë

Masa të shtuara sigurie do të zbatohen sonte në Vjenë, në prag të ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Austrisë dhe Kosovës, që zhvillohet në stadiumin “Ernst Happel”.

Sipas mediumit austriak 5 Minuten, Drejtoria e Policisë së Vjenës ka vendosur krijimin e një zone të gjerë sigurie rreth stadiumit, e cila do të jetë në fuqi nga ora 10:00 deri në 22:00. Për tifozët priten kontrolle të rrepta, ndaj autoritetet u bëjnë thirrje të lënë kohë shtesë për hyrjen në stadium.

Zona e sigurisë nuk do të kufizohet vetëm në hapësirën përreth “Ernst Happel”, por do të përfshijë edhe pjesë të Krieau, Olympiaplatz, Stadioncenter, zonën e Stadionbad dhe Hauptallee. Brenda kësaj zone, policia do të ketë kompetenca të veçanta për të larguar persona për të cilët ekzistojnë dyshime se mund të kryejnë akte dhune dhe për t’u ndaluar hyrjen në zonë.

Reklamë

Personat që shkelin ndalimin e hyrjes mund të përballen me gjobë deri në 1,000 euro, ndërsa në rast përsëritjeje gjoba mund të arrijë deri në 4,600 euro. Në pamundësi të pagesës, parashikohet edhe dënim zëvendësues me burgim deri në katër javë.

Masa të rrepta do të zbatohen edhe në hyrje të stadiumit. Tifozët duhet të pranojnë kontrollin e rrobave dhe çantave të tyre, ndërsa refuzimi i kontrollit nënkupton përjashtimin nga stadiumi. Sipas mediumit, ky përjashtim mund të zbatohet edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Një detaj i rëndësishëm për mbajtësit e biletave është se personat të cilëve u refuzohet hyrja për shkak të mospranimit të kontrollit nuk kanë të drejtë për kompensim të çmimit të biletës nga qeveria federale.

 

Reklamë