Pavarësisht boom-it të të ardhurave, Arsenali po përgatitet të shkurtojë rreth 60 vende pune. Sipas mediave angleze, klubi londinez ka informuar punonjësit për planet e ristrukturimit, ndërsa konsultimet janë ende në zhvillim dhe vendimi përfundimtar nuk është marrë.

Vendimi vjen në një moment kur Arsenali ka përmirësuar ndjeshëm treguesit financiarë. Për sezonin 2024/25, klubi raportoi të ardhura prej rreth 772.7 milionë paundësh, afërsisht 903 milionë euro, në rritje nga rreth 788 milionë euro në sezonin pararendës.

Të ardhurat nga të drejtat televizive arritën në 318.9 milionë euro, ndërsa ndeshjet gjeneruan 179.9 milionë euro. Të ardhurat komerciale u rritën në 307.6 milionë euro, duke reflektuar zgjerimin e marrëveshjeve të sponsorizimit dhe partneriteteve të klubit.

Reklamë

Edhe numri i punonjësve ishte rritur. Në fund të majit 2025, Arsenali kishte 564 punonjës në sektorët tregtarë dhe administrativë, krahasuar me 513 një vit më parë.

Nëse realizohet plani për shkurtimin e 60 vendeve të punës, ky trend mund të përmbyset.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen është kontrata e re e trajnerit Mikel Arteta, i cili ka zgjatur marrëveshjen me klubin deri në vitin 2030.

Paga e tij bazë pritet të jetë rreth 20 milionë paundë në sezon, me bonuse që mund ta çojnë shpërblimin vjetor deri në 25 milionë paundë.

Kjo nuk është hera e parë që Arsenali ndërmerr shkurtime të tilla. Në gusht të vitit 2020, gjatë pandemisë COVID-19, klubi njoftoi shkurtimin e 55 vendeve të punës, vendim që shkaktoi reagime të shumta nga tifozët.

Reklamë