Manchester City po përballet me një nga momentet më të vështira në historinë e klubit, pasi mund të përballet me një dënim të rëndë për shkeljet e pretenduara të rregullave financiare të Premierligës.

Klubi anglez është gjetur përgjegjës për 114 nga 115 akuzat lidhur me shkeljet financiare që i atribuohen periudhës 2009-2018.

Sipas akuzave, gjatë kësaj periudhe Manchester City dyshohet se ka raportuar në mënyrë të pasaktë të ardhurat e klubit, me shuma që kapin mbi 900 milionë funte.

Reklamë

Tash pritet përcaktimi i dënimit, me Manchester Cityn që mund të përballet me një gjobë të konsiderueshme, zbritje pikësh, kufizime të ndryshme ose edhe përjashtim nga Premierliga.

Rreziku për rënie në Championship lidhet me mundësinë e një penalizimi të madh me pikë. Nëse zbritja e pikëve do ta çonte Cityn në zonën e rënies, klubi do të detyrohej të luante në kategorinë e dytë të futbollit anglez.

Në skenarin më ekstrem, rregulloret parashikojnë edhe mundësinë e përjashtimit nga Premierliga. Një masë e tillë do të ishte më e rëndë sesa një rënie sportive në Championship, pasi rikthimi në sistemin e ligave angleze do të varej nga vendimet e autoriteteve përkatëse.

Manchester City ka kundërshtuar përfundimet e procesit, duke shprehur zhgënjim dhe befasi dhe duke këmbëngulur se klubi nuk ka kryer shkeljet për të cilat akuzohet.

Klubi ka paralajmëruar gjithashtu se do ta apelojë vendimin.

Reklamë

Ndërkohë, situatën po e ndjekin me vëmendje klubet rivale të Premierligës. Disa prej tyre kanë shqyrtuar edhe mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore lidhur me dëmet që pretendojnë se kanë pësuar si pasojë e shkeljeve të supozuara.