Franca ka kaluar në gjysmëfinale pas ekzekutimit të penalltive teksa Portugalia e prirë nga Cristiano Ronaldo përshëndetet nga ky Evropian.
Figura tragjike e ekzekutimit të penalltive ishte Joao Felix, i cili qëlloi shtyllën, ndërkaq francezët ishin të saktë në pesë penalltitë e tyre.
Portieri Diogo Costa bëri famë në ndeshjen e mëparshme me Slloveninë kur priti tri penallti, por në ndeshjen me Francën, lojtarët francez gjuajtën në mënyrë të përkryer.
Franca kalon edhe një fazë pa realizuar nga loja e hapur. Me Portugalinë janë bërë më shumë se 500 minuta që Franca nuk ka shënuar nga loja.
Franca ka kaluar në gjysmëfinale pa realizuar gol në lojën e hapur. Kjo është hera e parë në histori të Evropianëve. Gjithashtu, francezët nuk kanë pranuar asnjë gol nga loja e hapur.
Ronaldo, legjenda e Portugalisë, kishte paralajmëruar në një intervistë me një media portugeze se ky do të jetë Evropiani i tij i fundit pasi po mendon pensionimin nga kombëtarja.
Ai ishte i pari që realizoi nga penalltia.
Mirëpo ky ishte Evropiani i parë në karrierë që Ronaldo dështon të realizojë gol.
Ndërkaq, të premten, një ish-bashkëlojtar i Ronaldos, Toni Kroos, me eliminimin e Gjermanisë nga Evropiani është pensionuar nga futbolli aktiv, ashtu siç kishte paralajmëruar.
Franca në gjysmëfinale do të përballet me Spanjën.
“Tre kolorët” janë në përparësi të madhe, pasi Spanjës i mungojnë disa lojtar kyçë, përfshirë Dani Carvajal, i cili u ndëshkua me karton të kuq në fitoren 2 me 1 ndaj Gjermanisë.