Mesfushori i Paris Saint-Germainit, Vitinha, e ka cilësuar Lamine Yamalin si një nga lojtarët më të mirë në botë, përpara përballjes mes PSG-së dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, portugezi këmbëngul se kampionët francezë do të mbështeten te disiplina kolektive dhe jo te frika për ta neutralizuar sulmuesin e ri.
Duke folur për mediat para kësaj përballjeje të rëndësishme, reprezentuesi portugez e vlerësoi cilësinë individuale të Yamalit, ndërsa theksoi edhe duelin taktik që pritet mes dy skuadrave të ndërtuara rreth posedimit të topit dhe presionit të lartë.
Sulmuesi anësor i Barcelonës ka realizuar nëntë gola dhe ka dhënë 10 asistime në 11 paraqitje në La Liga dhe Ligën e Kampionëve këtë sezon, duke u shndërruar në një nga kërcënimet kryesore për të cilat duhet të përgatitet PSG-ja.
Vitinha e hodhi poshtë mundësinë që PSG-ja t’i qaset ndeshjes me frikë nga Yamal, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes kolektive përballë lojtarëve ofensivë të Barcelonës.
“Frikë nga Lamine Yamal? Jo, nuk ka frikë. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, por si ekip duhet të punojmë së bashku për ta mbajtur nën kontroll. Së bashku me Mbappen, Lamine Yamal është më i miri në botë. Ai është i pabesueshëm. Është një sfidë interesante të luash kundër tij, megjithëse gjithçka nuk ka të bëjë vetëm me Laminën. Barça është një skuadër e madhe, me disa talente të mëdha individuale”, deklaroi ai për mediat.
Forma e Yamalit e bën atë një nga pikat kryesore të vëmendjes, por Barcelona ka edhe lojtarë të tjerë kreativë, të aftë për ta shfrytëzuar hapësirën nëse PSG-ja përqendrohet tepër në krahun e djathtë.
Përtej duelit individual, Vitinha beson se kontrolli i posedimit të topit dhe efektiviteti i presionit nga të dyja skuadrat do të ndikojnë në rrjedhën e ndeshjes.
Të dyja skuadrat synojnë ta dominojnë posedimin, prandaj aftësia për të dalë nga presioni dhe për të krijuar hapësira mund të jetë vendimtare.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë; jemi dy skuadra që duam ta kemi topin. Barça ka lojtarë të jashtëzakonshëm dhe është një kundërshtar i vështirë për t’u përballur. Mënyra se si e aplikojmë presionin do të jetë vendimtare”, shtoi ai.
Vitinha e vlerësoi gjithashtu cilësinë e mesfushës së Barcelonës, duke përmendur në mënyrë të veçantë Pedrin dhe Rodrin, por bëri të qartë se PSG-ja synon ta imponojë stilin e vet të lojës, në vend që vetëm të reagojë ndaj kundërshtarit.
“Jemi dy skuadra që duam ta kemi topin dhe do të jetë shumë interesante të shohim se cila do të arrijë ta kontrollojë ndeshjen përmes posedimit. Jemi dy skuadra që bëjmë presion të madh kur nuk e kemi topin, ndaj do të jetë një ndeshje shumë e luftuar. Janë vetëm tri pikë në një sezon shumë të gjatë të ligës, por e dimë se do të jetë një ndeshje e shkëlqyer. Po, përballemi me njërën prej mesfushave më të mira në botë. Më pëlqejnë Pedri dhe Rodri, por edhe ne duam ta luajmë lojën tonë. Do të shohim se si do t’i qasemi ndeshjes dhe si do ta çajmë presionin intensiv që ata ushtrojnë. Do ta shohim”, vazhdoi ai.
Në fund, mesfushori portugez u pyet për garën e këtij viti për “Topin e Artë”, ku përmendi disa lojtarë që, sipas tij, mund ta fitojnë këtë çmim.
“Shumë lojtarë kanë mundësi ta fitojnë: Mbappe, Olise, Lamine”, përfundoi ai.