Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, ka rrëfyer emocionet që e lidhin me origjinën e tij familjare, duke zbuluar dëshirën për t’u rikthyer në Bata të Guinesë Ekuatoriale, vendin që e vizitoi vetëm një herë gjatë fëmijërisë.
Në dokumentarin “Revolution 304”, të prodhuar nga kanali 3Cat, 18-vjeçari ka folur për fëmijërinë, familjen dhe rrënjët e tij, duke kujtuar edhe periudhën kur u rrit në lagjen Rocafonda të qytetit Mataro në Katalonjë.
“Kur isha i vogël, e tëra që kisha ishte Rocafonda, sepse gjyshja ime, kushërinjtë e mi dhe të gjithë miqtë e mi jetojnë atje”, ka thënë Yamal.
Babai i tij, Mounir Nasraoui, është me origjinë marokene, ndërsa nëna e tij, Sheila Ebana, vjen nga Guinea Ekuatoriale. Yamal ka treguar se ka një marrëdhënie të afërt me të atin, me të cilin kalon kohë edhe jashtë futbollit.
“Babai im është shumë i ri, deri në atë pikë sa mund ta trajtoj si një mik, një baba dhe gjithçka për mua. E shoh çdo ditë ose flas me të çdo ditë. Shkoj në shtëpinë e tij për të luajtur me të në PlayStation, ose ai vjen të flasë me miqtë e mi, dhe dalim për të ngrënë dhe për të bërë shumë gjëra së bashku”, ka rrëfyer futbollisti.
Megjithatë, një nga kujtimet më të veçanta të tij lidhet me Batën, qytetin e nënës së tij në Guinenë Ekuatoriale, ku kishte udhëtuar kur ishte vetëm shtatë vjeç.
“Shkova atje kur isha shtatë vjeç dhe e vizitova vetëm një herë, por dua të kthehem atje dhe kjo është ajo që dua vërtet”, ka thënë Yamal.
Ai ka zbuluar gjithashtu se nëna e tij e kishte detyruar të pozonte për një fotografi gjatë asaj vizite, ndonëse në atë kohë nuk i pëlqente të fotografohej.
“Është e vetmja foto që i lejova asaj të më bënte dhe është e vetmja foto që kam. Është një kujtim i bukur i origjinës sime, tokës sime dhe tokës së nënës sime. Pres me padurim të madh kthimin”, ka deklaruar ylli i Barcelonës.
Yamal ka folur edhe për tiparet që mendon se i ka trashëguar nga rrënjët e tij afrikane, duke veçuar natyrën e tij të gëzuar.
“Mendoj se jam një person i gëzuar dhe buzëqesh pothuajse gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.
Në fund, futbollisti ka vlerësuar ndikimin e nënës së tij në formimin e karakterit, duke e cilësuar si një nga modelet më të rëndësishme gjatë fëmijërisë.
“Nëna ime ishte një nga modelet e mia kur isha i vogël, sepse për mua ajo ishte një person i përgjegjshëm, i respektueshëm dhe punëtor. Dhe ajo gjithmonë më fliste sapo kthehej në shtëpi, edhe nëse ndihej e lodhur”, ka rrëfyer Yamal.