Yjet e Premierligës do të bojkotojnë rrjetet sociale për shkak të racizmit

Yjet e futbollit anglez kanë ardhur me një vendim të madh, për të bojkotuar të gjitha rrjetet sociale.


Këtë edicion, kemi qenë dëshmitar të një problemi të madh në Premierligë, problem ky që vije nga tribunat.

Lojtarë të shumtë, si Raheem Sterling, Wilfried Zaha, Danny Rose dhe emra të tjerë kanë qenë viktimë e fyerjeve raciste.

Terrene si ai i Chelsea, ‘Stamford Bridge’ ishin vendet ku ky problem u paraqit, duke kujtuar rastin e Sterling i cili ishte viktima e tifozëve të Chelsea.

Kështu, pas problemeve të shumta me racizmin, ndaj të cilave reaguan edhe trajnerët e skuadrave angleze, duke u shprehur të gatshëm të tërheqin skuadrat nga fusha, tashmë po reagojnë edhe lojtarët.

Lojtarët profesionist nga Anglia dhe Uellsi do të bojkotojnë të gjitha rrjetet sociale gjatë ditës së premte, më 19 prill, për të qëndruar së bashku kundër racizmit, transmeton lajmi.net.

Kampanja ‘#Enough’, e cila do të organizohet nga PFA, do të inkurajojë lojtarët që të mos përdorin asnjë formë të medieve sociale nga ora 09:00 (19 prill) deri në ora 09:00 ( 20 prill).

Para se të fillojë bojkoti, lojtarët do të postojnë nga një shkrim #Enough (mjaft), për të ngritur zërin kundër këtyre problemeve, që janë kthyer në një ‘kancer’ për futbollin anglez.

Probleme të ngjashme ka pasur edhe në Serie A, ku ylli i Juventus, Moise Kean, ishte viktimë e fyerjeve raciste, në ndeshjen kundër Cagliari.