Një situatë e pazakontë dhe shqetësuese ka tronditur futbollin iranian të femrave, pasi ekipi kombëtar rezulton i zhdukur prej tre ditësh, pa dhënë asnjë shenjë jete.
Sipas mediave ndërkombëtare, mbrëmjen e 10 marsit, futbollistet fluturuan nga qyteti i Sydneyt në Australi drejt Iranit. Gjatë rrugës, më 11 mars, ato bënë ndalesë në Kuala Lumpur, Malajzi, ku u vendosën në një hotel. Që nga ajo kohë, vendndodhja e tyre mbetet e panjohur.
Zhdukja ka shqetësuar drejtuesit e federatës iraniane të futbollit dhe po ndiqet nga autoritetet lokale. Raportohet se tensionet e fundit në vend u rritën pas kritikave të ashpra ndaj lojtareve, të cilat u akuzuan madje si “tradhtare” për refuzimin e tyre për të kënduar ose përshëndetur gjatë himnit kombëtar.
Ekzistojnë dyshime se kjo situatë mund të ketë ndikuar në vendimin e futbollisteve për t’u larguar dhe për të kërkuar mbrojtje jashtë vendit. Ndërkohë, organizata ndërkombëtare kanë bërë thirrje që lojtaret të mbrohen dhe të mos përballen me pasoja nëse kthehen në Iran.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe në botën e sportit, duke ngritur pyetje për sigurinë dhe të ardhmen e futbollisteve iraniane.