Shpërthim me tritol në lagjen “Ndoz Mazi” në qytetin e Shkodrës, këtë të martë, 28 tetor. Siç bën me dije Policia, lënda plasëse ishte vënë në automjetin e një 38 vjeçari. Për pasojë, ai ka mbetur i plagosur, por është jashtë rrezikut për jetën.
“Ka qenë sasi e madhe eksplozivi. Sapo ai ka ndezur makinën, ka ndodhur shpërthimi”, raporton gazetarja e Klan News.
Vlen të theksohet se 38 vjeçari është me detyrë specialist i monitorimit në terren pranë Drejtorisë së Tatimeve dhe shpërthimi ndodhi pranë banesës së tij.
“Rreth orës 11:35, në momentin që shtetasi E. B. ka ndezur automjetin e tij, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjet. Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. B., 38 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shkodrës.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit, ndërsa në vendngjarje ndodhet edhe drejtori i Policisë Shkodër.
Ende nuk dihet nëse 38 vjeçari ka pasur ndonjë konflikt me ndonjë person apo është kërcënuar për shkak të detyrës së tij, teksa njoftohet se është gjetur e djegur një makinë në Dragoç, që dyshohet të jetë e autorit/ëve të ngjarjes.
“Rreth orës 12:20, në fshatin Dragoç, në anë të rrugës, është konstatuar i djegur një automjet tip “Wolkswagen”. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit”, thonë blutë.