Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka deklaruar se çmimi maksimal për shezlongët në plazhet në territorin e kësaj bashkie do të jetë 700 lekë.
Sipas saj, në dispozicion të qytetarëve do të jenë 15 mijë metra katrorë vijë bregdetare si plazh publik falas. Në këto hapësira do të vendosen 350 çadra dhe shezlongë, ndërsa do të ketë edhe zona publike pa pajisje, ku qytetarët mund të vendosin çadrat dhe shezlongët e tyre personalë.
Duke folur për tarifën prej 700 lekësh, Mersini tha se bëhet fjalë për plazhe publike që do të menaxhohen edhe në bashkëpunim me sektorin privat.
“Pra bizneset private në ndryshim nga një vit më parë ku kishim çmime të ndryshme deri në 2 mijë lekë, këtë vit plazhet private do të shkojnë maksimumi në vlerën 700 lekë dhe jo më tepër”, u shpreh ajo për Top Channel.
Tarifa prej 700 lekësh, që sipas kursit aktual të këmbimit është rreth 7.33 euro, është përcaktuar si limit maksimal për këtë sezon.
Vendimi ka nxitur diskutime të shumta në Këshillin Bashkiak dhe në qytetin e Vlorës gjatë ditëve të fundit.