Ka nisur protesta e opozitës në Shqipëri. Protesta prihet nga Sali Berisha dhe eksponentët e tjerë të tjerë të PD.
Kreu i PD mbërriti fillimisht në selinë blu, nga ku nisi marshimin drejt Kryeministrisë.
Berisha shoqërohet nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike dhe protestuesit, ku pas Kryeministrisë u larguan drejt Policisë së Shtetit. Në momentin e marshimit, nisi hedhja e molotovëve. Teksa protestuesit iu afruan godinës së policisë, është “aktivizuar” kordoni i policisë në rrugë si dhe janë pozicionuar makinat ujëhedhëse.
Policia po ashtu u kundërpërgjigj molotovëve me ujë dhe gaz lotsjellës, ku si pasojë humbi ndjenjat një protestues.
Ashtu sikurse në protestën e një jave më parë, policia e kryeqytetit njoftoi se nuk merr përsipër protestën, ndërsa janë marrë masa për sigurimin e rendit. 1,300 forca janë në gatishmëri para godinës së Kryeministrisë. Në fokus të policisë është ruajtja e institucioneve, ndërsa janë marrë masat antitubim me autoboot uji, zjarrfikëse dhe ambulanca nëse do të jetë e nevojshme.
Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e sotme që po zhvillon opozita në rrugët e kryeqytetit. Në një postim në rrjetin social X, Rama ka ndarë foto nga sulmet në Iran dhe një foto nga protesta dhe një kosh që digjet pas molotovëve, duke shkruar me ironi se “Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës”. /Tch