×
  • Lajme
  • Botë

    Paralajmërohet katastrofë në kampet greke të refugjatëve

    Reporteri
    17 Shtator 2019 | 9:16

    Fëmijë të kafshuar nga akrepat dhe gjarpërinjtë, qindra persona të detyruar ta përdorin një banjë dhe mungesa të përditshme të ushqimit. Një nga jë, Sophie McCann i rendit problemet me të cilat përballen refugjatët e ndaluar në Lesbos të Greqisë.

    McCann është menaxhere e një organizate për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo e ka ngritur alarmin se 24 mijë burra, gra dhe fëmijë të bllokuar në kampet e stërmbushura greke janë në kushte të tmerrshme dhe paraqesin rast të një katastrofe humanitare.

    “Niveli i vuajtjeve njerëzore është thjesht i papërshkrueshëm”, thotë McCann, duke shtuar se incidentet e vetëlëndimeve, madje edhe në mesin e fëmijëve, janë rritur në masë të ndjeshme. E kam të vështirë t’i gjej fjalët e duhura, sepse askush nuk mund ta përshkruajë mizorinë e situatës që në Evropë është qartazi e pabesueshme”, tha ajo.

    Në korrik dhe gusht, më shumë se 13 mijë njerëz erdhën në brigjet greke, më shumë se shifra e personave të ardhur në pesë muajt e parë të këtij viti. Me rritjen e këtij numri edhe gjatë shtatorit, kjo dukuri ka ngjallur frikë se Evropa është buzë një krize të re refugjatësh, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

    Sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, së paku një e treta e personave të ardhur në ishujt grekë janë të mitur dhe të pashoqëruar nga prindërit apo dikush tjetër.

    Përkeqësimi i situatës në Greqi erdhi në kohën kur presidenti turk, Erdogan, ka paralajmëruar se do t’i hapë dyert që imigrantët të vazhdojnë drejt Evropës, nëse institucionet e BE-së nuk ia dhurojnë shtetit të tij 6 miliardë eurot e premtuara për këtë çështje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!