×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Kancelari gjerman në Kiev: Mbi një miliard euro ndihmë për Ukrainën

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 12:03

    Kancelari gjerman Friedrich Merz mbërriti të dielën në mëngjes në Kiev, kryeqytetin ukrainas, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë Katherina Reiche dhe një delegacion figurash kryesore të biznesit gjerman.

    “Nëse Rusia nuk ndalet, herët a vonë do ta kthejë makinerinë e saj luftarake kundër nesh”, tha Merz me të mbërritur me tren.

    Pritet që kancelari të shpallë një paketë të re masash mbështetëse për Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus, përfshirë edhe një miliard euro shtesë ndihmë ushtarake dhe 350 milionë euro për riparimin e sektorit të energjisë, sipas mediave gjermane, shkruan Deutsche Welle.

    Merz pritet gjithashtu të paraqesë plane për bashkëprodhimin e dronëve pengues (interceptorë) dhe të raketave me rreze të gjatë veprimi, si në Ukrainë ashtu edhe në Gjermani.

    Sipas burimeve të qeverisë gjermane, të cituara nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe dpa, prodhimi i armëve pritet të përqendrohet në zhvillimin dhe dërgimin e mijëra dronëve të aftë të pengojnë dronët e shpejtë me motor reaktiv, që ushtria ruse po i përdor gjithnjë e më shumë kundër objektivave civile në Ukrainë.

    Pritet të shtohet edhe prodhimi i raketave me rreze veprimi mbi 1.000 kilometra, gjë që do ta forconte aftësinë e Ukrainës për të goditur objektiva ushtarake e logjistike shumë përtej vijës së frontit dhe brenda vetë Rusisë.

    Merz pritet të theksojë se edhe Gjermania përfiton nga bashkëpunimi i zgjeruar, si për mbrojtjen e vet ndaj aktiviteteve hibride ruse, ashtu edhe për vendet e punës dhe teknologjinë.

    Kancelari pritet gjithashtu të flasë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për progresin e reformave politike në Ukrainë dhe për luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!