Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj dhe ai i NISMA-s, Fatmir Limaj nuk kanë pasur asnjë komunikim sot, teksa të dy ndodhen në sallën e Kuvendit në seancën konstituive.
Në pamjet nga seanca, Limaj kalon përskaj Haradinajt në sallën e Kuvendit, por ky i fundit as nuk e shikon, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Haradinaj ditën sotme, por edhe dje konfirmoi se s’ka pasur komunikim me kreun e Nismës që nga deklarimi i fundit i Fatmir Limajt.
Ai tha se nëse NISMA mbështet pushtetin, siç tha ai i bie të ndahen edhe nga AAK-ja, një ndarje që kreu i kësaj partie e quajti “të turpshme”.
“Ne në princip votojmë kandidatin për kryetar të kuvendit, kuptohet se do të bëjmë konsulta me partitë tjera opozitare, PDK dhe LDK, por besoj që konstituimi i kuvendit është në interes të të gjithëve më pastaj sikurse e dini Aleanca angazhohet dhe punon që Qeverinë ta krijojë opozita në rast të pamundësisë së krijimit të shumicës nga pozita”, tha ai.
“S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e zotit Limajt. Ka qenë shumë e vështirë pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu, pozicionimi i hershëm i tij e ka bë edhe më të vështirë, ka qenë i parakohshëm. Nëse NISMA dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne dhe është ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërku votë për ndryshim dhe sjellja e tyre është mjaft e turpshme”, tha Haradinaj dje.
Ndërkohë kreu i Nismës, Fatmir Limaj nuk ka treguar sot nëse ka arritur marrëveshje me Kurtin për Kuvendin dhe Qeverinë. /Reporteri.net.