×
  • Lajme
  • Lajme / Formimi i institucioneve

    Ndërprerja e seancës konstituive, Kuvendi del me njoftim

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 17:49

    Pas afër dy orë punime, seanca konstituive për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë, meqë deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

    Lidhur me punimet e kësaj seance, Kuvendi ka dalë me një njoftim. Në njoftim thuhet se seanca u ndërpre meqë raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve dhe se në këto rrethana dhe pas një konsulte me përfaqësues të partive, është vendosur që seanca të ndërprehet e të njoftohet Presidentja për hapat e mëtejmë, shkruan Reporteri.net.

    “Kështu, për raportin votuan 52 deputetë, 46 votuan kundër, ndërsa 11 abstenuan”, thuhet në njoftim.

    Aty theksohet se në seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në vendin tonë.

    Seanca nisi punimet nën drejtimin e deputetit më të vjetër të legjislaturës, Avni Dehari nga VV, i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari e PDK’së.

    PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë pranuar dorëheqjen e dorëzuar nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Kurti i ka akuzuar këto parti për “sulm brendainstitucional”.

    Në seancën konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!