Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive politike që të vazhdojnë takimet për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Haxhiu ka theksuar se koha deri më 6 tetor është e kufizuar dhe se partitë duhet të dëshmojnë vullnet për të arritur një marrëveshje.
“Është shumë e rëndësishme që takimet ndërmjet partive politike me qëllim të arritjes së konsensusit për çështjen e presidentit të vazhdojnë. Ju e përmendët që kemi shumë pak parametër deri më 6 tetor; prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi takime të cilat të dërgojnë deri tek një konsensus për çështjen e presidentit”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se në rrethanat aktuale është e rëndësishme që të dëshmohet vullnet politik, duke paralajmëruar se mungesa e tij mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Në rrethana të cilat jemi, mendoj që është shumë prioritet që të dëshmojmë vullnet dhe jo në anën tjetër mungesë të vullnetit apo tendencë për të zvarritur dhe për ta çuar vendin sërish në zgjedhjet e parakohshme”, është shprehur ajo.
Sipas Haxhiut, shmangia e zgjedhjeve është e rëndësishme edhe për shkak të reformave të brendshme dhe obligimeve ndërkombëtare të Kosovës.
“Jo vetëm për shkak të reformave të brendshme, jo vetëm për shkak të reformave dhe obligimeve ndërkombëtare që ne i kemi, por edhe për shkak të vendimit të 16 shtatorit që nuk ka asnjë kuptim, asnjë arsye, që ta çojmë në vendim të plotë vendin në zgjedhje”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka ftuar partitë politike që t’i vazhdojnë takimet, duke thënë se, sipas informacioneve që ka, ato pritet të zhvillohen së shpejti.
“Prandaj unë ftoj partitë politike që të vazhdojnë këto takime. Me aq sa unë jam në dijeni, takimet do të vazhdojnë shumë shpejt”, ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu ka shprehur shpresën se nga këto takime do të arrihet një konsensus për zgjedhjen e presidentit.
“Me aq sa unë kam informacion, ato takime do të zhvillohen shumë shpejt dhe uroj që nga këto takime të dalin me një konsensus për çështjen e presidentit”, ka përfunduar ajo./ Reporteri.net/