Disa herë u duk se po ia dilte. Liga e Kampionëve e këtij sezoni pati disa momente të mira për Kristian Asllanin, veçse kohët e fundit, ai sikur është lënë fare prapa liste.
Mesfushori i kombëtares shqiptare e kaloi në stol duelin e Championsit në Katalonjë, e treta herë radhazi që I ndodh, ndonëse në sfidën e parë kundër Bajernit në Gjermani ishte I pezulluar.
Kombinuar kjo me dy ndeshje radhazi që nuk aktivizohet në Serinë A, dhe me vetëm 6 minuta në kampionat në tri sfidat e fundit, kuptohet që situata nuk është ndër më të mirat.
Që nga java e parë e prillit, 23-vjeçari është harruar nga trajneri Simone Inzagi, me vetëm dy raste si titullar.
Kjo ndodhi në fillim të prillit në Serinë A në fushën e Parmës, në barazimin fatkeq 2-2, dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë të humbur 0-3 ndaj Milanit, ku gjithashtu për shqiptarin pati shumë kritika.
Vlen të theksohet se këtë sezon, Asllani pati më shumë hapësirë në Champions, dhe në çdo konkurrim në përgjithësi. Ai arriti në 334’ në Europë, më lart sesa 202 minutat e vjetshme, dhe 125 minuta në edicionin 2022-2023.
Mesfushori kuqezi u dallua në dy prej sfidave, në Pragë ndaj Spartës vendase kur zikaltërit fituan 1-0, dhe në Roterdam kundër Fejënordit, ku thuajse shënoi me goditje dënimi. Për herë të fundit në Champions, luajti në Inter-Fejënord në 11 mars të këtij viti.