×
  • Lajme
  • Lajme / Vazhdimi i seancës

    Propozimi i Abdixhikut për Qeveri të tranzicionit, Peci: Potencialisht ftesë për takim mundet me ba Bedri Hamza, jo partia e tretë

    Reporteri
    07 Maj 2025 | 9:45

    Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Peci, është deklaruar para fillimit të seancës konstituive, teksa ka folur edhe për propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për një qeveri të tranzicionit.

    Peci tha se një propozim të tillë do të mund ta bëntë potencialisht kandidati për kryeministër i PDK’së, Bedri Hamza, por jo partia e tretë.

    Ai as nuk ka mohuar as pohuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Abdixhiku, shkruan Reporteri.net.

    “Nëse kjo nuk bëhet e mundshme në një të ardhme, unë mendoj që logjika politike dhe institucionale e thotë që potenacialisht që një ftesë të tillë mundet me ba në një të ardhme Bedri Hamza, por jo partia e tretë, e katërt, e pestë. Unë s’po them që shkojmë as nuk shkojmë”, ka deklaruar Peci.

    Ai tha se Kosova ka nevojë për qeveri stabile.

    “Sa i përket qeverisë tranzicionale, Kosova ka nevojë për qeveri stabile. Jam prej të parëve që e kam preferuar një koalicion të shumicës shqiptare, normal duke I respektu edhe pjesën e detyrimeve kushtetuese, që të këtë përfaqësues të komuniteve jo-shumicë në Qeveri”, ka shtuar Peci.

    Sipas tij, rrugëzgjidhja e vetme mund të mbetet një marrëveshje politike për konstituim për të shkuar pastaj në zgjedhje.

    “Po, në rast se ka refuzim nga të gjithë, atëherë rrugëzgjedhja e vetme që mundet me qenë është një marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit dhe caktimin e afateve kohore, në koordinim edhe me Presidenten se kur munden me u mbajtë zgjedhjet”, deklaroi Peci para gazetarëve.

    LDK ka dhënë propozimin për Qeveri të tranzicionit dje, teksa është shprehur e gatshme që ta drejtojë këtë proces konsultativ, siç ka thënë, për të zgjidhur krizën aktuale dhe garantuar stabilitetin kombëtar në vend.

    “Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”, thuhet në letër.

    Deri tani vetëm Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën për një takim të tillë.

    Ai i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se është informuar për propozimin e LDK’së dhe se do të diskutojnë e vendosin sot në Kryesi.

    ”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë. Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Krasniqi për Reporteri.net.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë cilësuar si të papranueshëm këtë propozim, teksa deputetë të kësaj partie janë lëshuar në sulme ndaj LDK’së./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!