Edhe pse humbja e Romës në Bergamo i dha një shtysë të rëndësishme Juventusit në garën për Ligën e Kampioneve, gëzimi në kampin bardhezi nuk zgjati shumë. Vetëm pak minuta pas përfundimit të ndeshjes, një lajm i bujshëm tronditi ambientin juventin.
Francesco Calvo, një nga figurat më të rëndësishme në hierarkinë drejtuese të klubit, do të japë dorëheqjen në fund të sezonit.
Lajmi, i publikuar fillimisht nga “Telelombardia” dhe më pas i konfirmuar nga mediat e tjera, vjen vetëm dy javë para përfundimit të kampionatit dhe pikërisht në një moment kur klubi është në mes të një gare vendimtare për sigurimin e një vendi në Champions.
Një tjetër faktor që shton tensionin është çështja e pazgjidhur e sponsorit të ri të fanellës, që pritet të zyrtarizohet përpara Kupës së Botës për Klube.
Françesko Kalvo, i cili ka një histori të gjatë me Juventusin që nga periudha e parë 2011-2014 dhe që ishte rikthyer në klub në prill 2022, ka mbajtur role të rëndësishme në menaxhimin sportiv dhe ekonomik të skuadrës. Aktualisht, ai ushtron një funksion kyç që lidh të ardhurat komerciale me zhvillimin sportiv.
Largimi i tij, në një moment kaq të ndjeshëm, ka rritur shqetësimin për vazhdimësinë e projektit të klubit. Sipas burimeve të afërta me situatën, Kalvo është pranë një marrëveshjeje me një klub të Premier Ligës, më konkretisht Aston Vilën dhe duket se po përgatitet për një sfidë të re profesionale në futbollin anglez.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.